Enti Rregullator i Energjisë ka shtyrë vendimin e tij për rinovimin e licencës së furni8mit me energji dhe atë të tregtimit të energjisë nga ana e Albpetrol për në shtator.
Shkak për këtë vendim është bërë mungesa e një sërë dokumentesh në aplikimet e kompanisë publike për të cilin i është lënë afat 10 ditor në plotësimin e tyre.
Referuar vendimeve të Bordit të Komisionerëve të ERE thuhet se në të dyja rastet vendimi do të merret në 6 shtator 2022. Enti nisi procedurën për rinovimin në muajin korrik duke njoftuar Albpetrol për mungesën e dokumenteve që janë konstatuar gjatë procesit.
“Me e-mailin e protokolluar në ERE me nr. 971/2 prot., datë 08.08.2022, shoqëria ka depozituar dokumentacion plotësues të këtij aplikimi, duke u angazhuar që dokumentacionin e depozituar të skanuar nëpërmjet këtij e-maili do ta depozitojë në ERE zyrtarisht dhe në formën e kërkuar nga ligji.
Po ashtu shoqëria ka deklaruar se do të depozitojë dokumentacion shtesë të këtij aplikimi brenda 5 ditëve. Bordi mund të vendosë rast pas rasti për zgjatjen e afatit të përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni kur dokumentacioni nuk është i plotë, por jo më shumë se 30 ditë pune.
– Afati i vlefshmërisë së licencës për veprimtarinë e furnizimit të energjisë elektrike të shoqërisë “ALBPETROL” sh.a. përfundon më datë 06.09.2022, ndaj ERE kushtëzohet për të shtyrë afatin e vendimmarrjes deri në afatin e fundit të vlefshmërisë së licencës.
– Me qëllim që të shqyrtohet dokumentacioni i depozituar nga ana e shoqërisë e t’i jepet asaj mundësia për të plotësuar dhe pjesën tjetër të dokumentacionit, vlerësohet shtyrja deri më date 06.09.2022 i afatit të vendimmarrjes së bordit mbi kërkesën e shoqërisë “ALBPETROL” sh.a. për rinovimin e licencës së furnizimit të energjisë elektrike” thuhet në vendimin e Bordit.
Ky i fundit nënvizon se afati për vendimmarrjen është 6 shtatori dhe deri atëherë kompania duhet të ketë depozituar të gjithë detyrimet.
Ky konstatim vlen për të dyja licencat e Albpetrol si atë të furnizimit me energji elektrike edhe për atë të tregtimit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor