Vendosni fjalën kyçe....

Energjia elektrike në BE kushton dyfish


Çmimet e energjisë në të gjithë BE-në u rritën në një rekord të ri të martën, pasi kostot e gazit natyror u rritën më tej pas rënies së furnizimit nga Rusia, tregojnë të dhënat nga European Energy Exchange AG.

Çmimet standarde të ditës në Gjermani përparuan në 490,79 euro për megavat-orë, nga mesatarja e qershorit prej 218,03 eurosh, sipas ofruesit të të dhënave të tregut Nord Pool. Çmimet e tanishme janë pothuajse gjashtë herë më të larta se në gusht 2021.

Tregu energjetik i BE-së tronditet nga frika nëse termocentralet do jenë në gjendje të ofrojnë mjaftueshëm energji elektrike këtë dimër, mes shtrëngimit të furnizimit me gaz.

Çmimet e gazit në rajon janë katërfishuar këtë vit, të nxitura nga rënia e dërgesave nga Rusia për shkak të sanksioneve të lidhura me Ukrainën dhe pengesave teknike.

Vendet e BE-së janë përpjekur të diversifikojnë importet duke blerë më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG), si dhe duke rritur furnizimet e gazit të tubacionit nga Norvegjia, Algjeria dhe Azerbajxhani.

Megjithatë, sipas kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, blloku ‘po u afrohet kufijve të gazit shtesë’ që mund të blejë nga ‘burime jo-ruse’. Ndërkohë, Franca është kthyer gjithnjë e më shumë në energjinë bërthamore për të prodhuar energji shtesë, ndërsa shtetet e tjera të BE-së kanë ringjallur termocentralet me qymyr.

Megjithatë, sipas analistit të Rstad Energy, Fabian Ronningen, nuk ka shenja të uljes së rritjes ‘në skaje’ të çmimeve, pasi aftësitë shtesë bërthamore, hidrocentrale dhe qymyri nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar efektet e pakësimit të furnizimeve me gaz rus.