Një prej grave të riatdhesuara nga Siria, Floresha Rasha, do të bashkëpunojë me Prokurorinë e Posçme SPAK për të zbuluar se si kryhej rekrutimi i shtetasve shqiptarë për t’u bashkuar me ISIS.
Gazetarja Klodiana Lala tha se ajo tashmë është dërguar në një bazë sekrete dhe ka rrëfyer për mënyrën se si është rekrutuar për t’iu bashkuar ISIS.
Rasha ka thënë për hetuesit e SPAK-ut se për të shkuar në Siri e bindi Genci Balla. Ajo shkoi në Siri 6 muaj pas bashkëshortit të saj Diamant Rasha, i cili iu bashkua ISIS dhe më pas u vra duke e lënë të vetme gruan me djalin Amarin dhe vajzën adoleshente. Më pas ajo u martua me Lavdërim Muhaxherin, i njohur si “Kasapi i Kaçanikut”. Kryeterroristi shqiptar i ISIS u vra me dron nga forcat amerikane në 2017. Përgjatë tri viteve martese me Muhaxherrin, Floresha solli në jetë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali humbi jetën për shkak se kishte lindur me probleme shëndetësore.
Pas vrasjes së Lavdërimit, Floresha u martua sërish. Këtë herë me një luftëtar nga Iraku. Solli në jetë një tjetër vajzë. Në rrethimin e Bagusit, asaj i vritet burri i tretë dhe vajza e madhe, të cilën e kishte me Diamant Rashën ndërsa mbeti e plagosur rëndë edhe vetë.
Më 27 tetor të 2020-ës Floresha dhe 3 fëmijët e saj u riatdhesuan në Shqipëri. Ajo është marrë disa herë në pyetje dhe është hetuar nëse ka qenë e përfshirë për 7 vitet që ka qëndruar në Al-Hol në akte terrori apo jo.