Vendosni fjalën kyçe....

Modeli i biznesit të Gjermanisë është prishur – Ministri i Ekonomisë justifikon taksën e energjisë


Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck hodhi poshtë të gjithë modelin e biznesit të vendit, duke thënë se ai mbështetej në importet e lira të energjisë nga Rusia që nuk do kthehen kurrë.

Komentet e Habeck erdhën gjatë shpalljes së tij për një taksë të veçantë për gazin natyror, që synonte të rishpërndante ndikimin e mungesës së energjisë midis kompanive dhe popullsisë së përgjithshme.

“Gjermania zhvilloi një model biznesi që bazohej kryesisht në varësinë nga gazi i lirë rus.” – u tha Habeck gazetarëve në Berlin, duke vënë në dukje se kjo do të thoshte gjithashtu varësi nga një ‘armik’ i së drejtës ndërkombëtare, ‘demokracisë liberale dhe vlerave të saj’.

“Ky model ka dështuar dhe nuk po kthehet më.” – tha ai.

Për shkak se Rusia ka ndërprerë ‘arbitrarisht’ dërgesat e gazit në BE, pohoi Habeck, Gjermania duhet ‘të shpëtojë kompanitë që kanë hyrë në vështirësi dhe duhet ta përballojnë atë si një ekonomi kombëtare’, duke e quajtur atë një ‘mjekim të hidhur’ që duhet marrë.

“Kjo taksë është mënyra më e drejtë e mundshme për të shpërndarë dhe përballuar kostot shtesë që janë grumbulluar mes popullatës. Alternativa nuk është pa taksë. Alternativa do të kishte qenë kolapsi i tregut gjerman të energjisë dhe bashkë me të, pjesëve të mëdha të tregut evropian të energjisë.” – argumentoi Habeck.

Të hënën, një shoqatë e operatorëve të tubacioneve të gazit vendosi për një taksë prej 2.4 cent euro për kilovat orë, e cila do të hyjë në fuqi në tetor dhe do të zgjasë deri në prill 2023. Sipas vlerësimeve të publikuara nga Reuters më herët gjatë ditës, taksa do u kushtojë familjeve rreth 500 euro në vit.