Vendosni fjalën kyçe....

OST shfryn tullumbacen: Keni ngatërruar buzëkuqin me sigurimin e jetës së punonjësve


Operatori i Sistemit të Transmetimit ka reaguar në lidhje me tenderin për policën e sigurimit duke shfryrë kështu tullumbacen mediatike se po ofronte trajtime kozmetike për punonjësit.

OST-ja thekson në reagimin e saj se tenderi do bëjë sigurimin e jetës dhe shëndetësor të punonjësve të terrenit dhe atyre femra.

Kontrata parashikon që punonjësit e OST-së të përfitojnë sigurimin shëndetësor përveç si shërbim në spitalet publike në rast nevoje edhe në spitalet private.

Ndërsa për pikën e veçantë me të cilën u aludua në media se është për trajtime kozmetike, OST-ja thekson se punonjësit që e përfitojnë këtë shërbim do të kenë mundësi të korrigjojnë dëmtimet estetike në pamjen e jashtme që mund të vijnë si rezultat i punës në terren.

Reagimi i OST:

Procedura 130 mijë euro është për aksidentet dhe dëmtimet e punonjësve në punë dhe jo për kozmetikë estetike

Nisur nga spekulimet disinformuese të ditëve të fundit, mbi një procedurë tenderimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sqarojmë opinionin publik se:

OST ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë mbi 130 mijë euro, me objekt sigurimin e jetës dhe shëndetit për punonjësit e mirëmbajtjes së linjave dhe punonjëseve femra.

Kontrata parashikon që punonjësit e OST, të cilët si pjesë e administratës shtetërore janë të mbuluar nga sigurimi shëndetësor, pra shërbimi në spitalet publike, në rast nevoje ta përfitojnë këtë shërbim edhe në spitalet private.

Procedura parashikon mbulimin financiar të këtyre shërbimeve nga të ardhurat e OST sha., në vlerën 13.290.728 lekë pa TVSH.

OST do të lidhë kontratë me operatorin ekonomik, që do të fitojë këtë procedure për grupe të përbëra nga më shumë se 5 persona, të cilët janë përfitues të këtyre shërbimeve.

Polica e sigurimit mbulon që nga aksidentet me humbje jete deri te sëmundjet, paaftësitë e përhershme apo të përkohshme, sëmundjet, shtatzënitë dhe trajtimin ditor në spitale.

Kjo masë sigurimi kryhet në kushtet e një profili pune me vështirësi në terren dhe rrezik për humbjen e jetës në raste ekstreme, për punonjësit e OST.

Një pikë e veçantë e kontratës është ajo që parashikon trajtimin kozmetik të punonjësve.

Kontrata parashikon si të tillë “çdo trajtim mjekësor që kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi dhe shërimi të një gjendjeje shëndetësore”. Pra, punonjësit që e përfitojnë këtë shërbim do të kenë mundësi të korrigjojnë dëmtimet estetike në pamjen e jashtme që mund të vijnë si rezultat i punës në terren.

Kompania e sigurimit fituese duhet të jetë e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Nisur nga sa më lart, OST i konsideron një abuzim të turpshëm politik këto deklarime dhe siguron opinionin publik, se nuk ka asnjë shpenzim fondesh për kozmetikë estetike. Gjithçka është kryer konform ligjeve në fuqi, në kujdes të jetës dhe shëndetit të punonjësve tanë.

Kujtojme që punonjësit e OST përballen me sfida fizike të vazhdueshme dhe përkujdesja për punonjësit nuk mund të konsiderohet kurrë abuzim.