Dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala të cilët mbahen tek Burgu 313 në kryeqytet për grabitjen brenda aeroportit të Rinasit, po hetohen për futjen e sendeve të ndaluara.
Kjo tre muaj pasi u mbyllën në 41 biss.
Siç raporton “Top Channel”, tre telefonat celularë të zbuluar nga forcat operacionale të DAP sollën gjatë kësaj kohe një hetim të thelluar brenda 313, jo vetëm për lehtësinë si kishin depërtuar në qeli sendet e ndaluara por edhe për faktin që secili posedonte rrjete sociale si Instagram.
Telefonat që mbanin vëllezërit Çalla nuk besohet se janë futur nga familjarët e tyre, por përmes punonjësve të policisë.
Prokuroria i ka veçuar hetimet për shpërdorim detyre për oficerët e policisë së burgut 313, mbasi ende nuk ka siguruar prova ndonëse disa policë janë përgjuar.
Vëllezërit Çala kanë këmbëngulur se i gjetën telefonat në ambientet e përbashkëta të dusheve, të fshehura në një kuti shampoje. Ata komunikonin në greqisht.
Numrat ishin regjistruar në emrin e dy vajzave të cilat pretendojnë se nuk njohin asnjërin nga të burgosurit dhe nuk kanë qenë asnjëherë në burg. Çudia sipas Top Channel mbetet tek numri i tretë me prefiks shqiptar. Ndonëse ky numër rezulton se nuk ekziston, prokuroria dyshon se është numër i qendrës se mesazheve që abonentët i përdorin për të dërguar mesazhe.