Vendosni fjalën kyçe....

Prokurori i SPAK-ut dhe hetuesit e BKH-së në Uashington/ Ambasada Amerikane: U trajnuan me investiguesit e nivelit të lartë për korrupsionin publik


Një prokuror i SPAK-ut dhe një grup hetuesish të BKH-së kanë vizituar Uashingtonin javën e kaluar ku kanë patur takime me disa zyrtarë të rëndësishëm amerikanë në fushën e drejtësisë. Kreu i SPAK-ut Arben Kraja ishte gjithashtu në SHBA.

Siç bën me dije Ambasada amerikane në Tiranë, prokurori I SPAK-ut dhe hetuesit e BKH-së u mirëpritën nga Komisioneri dhe Zv. Komisioneri i Zyrës së Integritetit Publik nga Departamenti i Policisë së Baltimorës.

Ambasada shkruan se ata u takuan edhe me një drejtues të Departamentit të Drejtësisë, i cili ka udhëhequr hetimet dhe ndjekjet penale të nivelit të lartë për korrupsionin publik si prokuror federal. Një grup i dytë hetuesish do vizitojë gjithashtu Uashingtonin javën e ardhshme duke ndjekur të njëjtin program. 

“Një prokuror i SPAK-ut dhe një grup hetuesish të Byrosë Kombëtare të Hetimit vizituan Uashington D.C. javën e kaluar, ku u takuan me zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit, Byroja Federale e Hetimit (FBI), Administrata për Luftën Ndaj Narkotikëve (DEA), Qendra për Koordinim dhe Analizë e Maryland, dhe Departamenti i Policisë së Baltimorës (BPD).

Komisioneri dhe Zv. Komisioneri i Zyrës së Integritetit Publik (ish investigues për korrupsionin publik dhe krimin e organizuar i FBI-së) nga Departamenti i Policisë së Baltimorës i mirëpritën ata. Ata u takuan edhe me një drejtues të Departamentit të Drejtësisë, i cili ka udhëhequr hetimet dhe ndjekjet penale të nivelit të lartë për korrupsionin publik si prokuror federal. Këtë javë, grupi është në Akademinë e FBI-së në Quantico, Virxhinia, duke u trajnuar dhe ndarë përvojat me agjentët dhe ekspertët nga agjencia më e madhe e ligjzbatimit në botë.

Një grup i dytë hetuesish do të ndjekë të njëjtin program javën e ardhshme. Vizitat e këtij muaji nisën më 3 gusht, me takime të nivelit ekzekutiv mes agjencive ndërinstitucionale të Shteteve të Bashkuara dhe Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së në SPAK.”- shkruan Ambasada Amerikane ndërsa publikon fotot e këtyre takimeve.