Vendosni fjalën kyçe....

Stoltenberg pas takimeve me Kurtin e Vuçiçin në Bruksel: Jemi gati të ndërhyjmë nëse është nevoja


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ka përsëritur deklaratën e tij se trupat e NATO-s do të ndërhyjnë, nëse eskalon situata.

Të njëjtat fjalë Stolltenberg i tha edhe në takimin me presidentin Serb Aleksandar Vuçiç.

“Nëse ka nevojë ne do të dërgojmë forca shtesë dhe do të intervenojmë aty ku nevojitet dhe do të veprojmë në mënyrë proporcionale. Qëllimi ynë është të ulim tensionet. Roli i NATO-s në Kosovë është i bazuar në mandatin e OKB-së, që do të thotë se roli ynë është neutral dhe angazhohemi për sigurinë e të gjithë komuniteteve. Ne përkrahim dialogun politik të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne nuk do të përfshihemi dhe do të mbajmë rolin neutral.”– shprehej Stoltenberg.

 Ai u kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.

Stoltenberg përmendi se aleanca ka 3700 trupa në Kosovë, të cilët janë të angazhuar për ruajtjen e paqes. Shefi i NATO-s i kishte ftuar Kurtin dhe Vuçiçin në takim, pas tensioneve në veri të Kosovës, në fund të korrikut të këtij viti.