Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet mjeku i Spitalit të Dibrës


Një mjek është arrestuar në Dibër pasi sipas policisë nuk ka referuar mjekimin e një pacienteje me djegie ne trup, e cila më pas ka ndërruar jetë.

Në pranga ka rënë mjeku me iniciale S.L. banues në Tiranë e mjek në Spitalin e Dibrës.

Sipas policisë, ai ka mjekuar më 11 gusht 2022 një 74-vjeçare që është paraqitur në spital me djegie po nuk ka njoftuar për këtë policinë, ndërsa shtetasja në fjalë ka ndërruar jetë më 17 gusht 2022.

Njoftimi

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin S. L.,  banues në Tiranë, mjek në Spitalin Rajonal Dibër, pasi më datë 11.08.2022, ky shtetas, gjatë kryerjes së detyrës si mjek roje, nuk ka njoftuar shërbimet e Policisë se është paraqitur në Urgjencë, me djegie të rëndë, shtetasja B. M., 74 vjeçe, banuese në Bulqizë, e cila si pasojë e dëmtimeve nga djegia, më datë 17.08.2022, ka humbur jetën. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 74-vjeçarja është djegur aksidentalisht në banesën e saj, nga bombula e gazit që e përdorte për gatim.”