Vendosni fjalën kyçe....

Atentati në Vlorë, Enkelejd Alibeaj: Shteti është dorëzuar përballë krimit, përgjegjësia është e Ramës


Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas atentatit që i mori jetën dy personave sot në Vlorë. Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj thotë se shteti është dorëzuar përballë krimit dhe se sezoni i përgjakur i kësaj vere e ka bërë edhe më të vështirë jetën për qytetarët.

Ai bën përgjegjës për këtë kryeministrin Edi Rama.

“Dy vrasje brenda pak orësh dëshmojnë dhe njëherë se shteti është dorëzuar përballë krimit.

Sezoni i përgjakur i kësaj vere, krimi që shëtit rrugëve i pashqetësuar e kanë bërë edhe më të vështirë jetën për qytetarët. Përgjegjësia kryesore për këtë situatë të kriminalizuar është e kryeministrit dhe e gjithë strukturës që nën drejtimin e tij është e përfshirë në botën e errët të krimit ose është e paaftë për të menaxhuar situatën e rënduar.

Janë të njëjtat hallka të zinxhirit me drejtues Edi Ramen që kriminalizuan votën e shqiptarëve duke deformuar vullnetin e qytetarëve të 25 prillin e vitit të kaluar.”- shkruan Alibeaj.

Ai shton se vetëm largimi i kësaj qeverie mund të kthejë sigurinë dhe garancinë e qytetarëve për jetën.

“Për shqiptarët është e qartë se qëndrimi në pushtet i qeverisë Rama është tregues i qartë se situata nuk mund të ndryshojë. Vetëm largimi i kësaj qeverie dhe drejtuesve të saj është garanci se siguria mund të rikthehet dhe qytetarët të kenë garanci për jetën e tyre.”- përfundon Alibeaj.