Dy personat që u vranë sot në Vlorë, Shpati Lena dhe Hakim Xhezo lëviznin me makinë të blinduar.
Por sot kishin ndërruar mjet duke menduar se nuk do të identifikoheshin me mjetin që po përdornin. Por autorët që dyshohet se kanë qenë me pagesë, kanë qenë duke i ruajtur dhe kanë përfituar duke kryer atentatin.
Sipas “Shqiptarja.com” u zbrazën të paktën 30 plumba kallashnikovi mbi makinë duke u marrë jetën në vend 37-vjeçarit Lena dhe 34-vjeçarit Xhezo, i fundit i njohur si “Bushi”.
Dy viktimat e atentatit të sotëm të ndodhur në mbikalimin e Panajasë nuk janë emra të panjohur për policinë, pasi janë të skeduar më parë.
Policia dyshon se hakmarrja është pista kryesore e atentatit, pasi viktimat dyshohen se kanë lidhje me masakrën e Vlorës, të ndodhur në zonën e plazhit të Vjetër, ku një biznesmen u vra për një kalë. Bëhet fjalë për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj më 4 gusht të vitit 2019. Lena ishte miku ndërsa Hakim Xhezo është i vëllai i pronarit të kalit, Eduartit. I vëllai nuk rezulton i përfshirë në ngjarjen e 4 gushtit por dyshohet se mund të jetë vrarë për hakmarrje ndaj Eduartit, i cili po vuan dënimin me burg.
Shpati Lena prej 3 vitesh ishte në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj, pasi akuzohej për “moskallëzim krimi”.
Pavarësisht kësaj Lena lëvizte i lirë në Vlorë dhe është arrestuar vetëm 23 marsin e kaluar nga policia në operacionin “Waves” të forcave “Shqiponja” dhe më pas u lirua nga gjykata.