Partia Demokratike ka vijuar me denoncimet për aferën e inceneratorëve. Në një deklaratë nga selia blu, deputeti Belind Këlliçi ka akuzuar bashkinë e Durrësit për rritjen e taksave duke thënë se i ka trefishuar.
Këlliçi thotë se bashkia ka propozuar, trefishimin e taksës së pastrimit që do të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm dhe përmes kësaj do të përfitojë 315 milionë lekë të reja.
“Në 2020-n kjo bashki u merrte qytetarëve dhe bizneseve 112 milionë lekë të reja prej taksës së pastrimit.
Mirëpo duke filluar nga viti që vjen, Bashkia Durrës, e drejtuar formalisht nga Emirjana Sako dhe faktikisht nga Vangjush Dako, do t’u marrë qytetarëve trefishin!
Rrumbullak 315 milionë lekë të reja! Këshillit Bashkiak të Durrësit iu duk ide e shkëlqyer që qytetarët do të paguajnë 3 herë më shumë, prandaj e miratoi direkt këtë propozim.”– thotë Këlliçi.
Deputeti demokrat kujton kur në vitin 2020, bashkia vendosi të mbyllë landfillin e Porto Romanos dhe lidhi një kontratë me kompaninë e Klodian Zotos për ripërpunimin e mbetjeve. Ai thotë se paratë nga taksa e trefishuar Kto para do u merren qytetarëve për t’i trefishuar fitimet Klodian Zotos.
Më pas ai ngre 5 pyetjet e radhës për inceneratorët, mes të cilave se ku (në cilin incenerator) do të depozitohen tani mbetjet e Durrësit.
DEKLARATA E PLOTË
Partia Demokratike kërkon sot vëmendjen e mediave, për të informuar të gjithë shqiptarët, veçanërisht banorët e Bashkisë Durrës, se qeveria ka thurur plane korruptive pas shpine, që do të cënojnë sigurinë ekonomike të qytetarëve. Durrësi po vendoset në shërbim të Klodian Zotos dhe aferës së iceneratorëve. Taksa e pastrimit do të rritet trefish!
Jo rrogat, as pensionet, por taksa e pastrimit!
Në mesin e vitit 2020, qeveria vendosi të mbyllë landfillin e Porto Romanos në Durrës, pa menduar fare një vend tjetër për depozitimin e mbetjeve.
Menjëherë pas kësaj, qeveria i imponoi Bashkisë Durrës që të lidhte një kontratë më kompaninë fantazmë të Klodian Zotos, kompani pa historik, pa kapital, pa përvojë por me mik të fortë në qeveri. Kryeministri thotë se nuk e njeh Zoton, por në video shfaqet disa metra larg tij.
Në 2020-n kjo bashki u merrte qytetarëve dhe bizneseve 112 milionë lekë të reja prej taksës së pastrimit.
Mirëpo duke filluar nga viti që vjen, Bashkia Durrës, e drejtuar formalisht nga Emirjana Sako dhe faktikisht nga Vangjush Dako, do t’u marrë qytetarëve trefishin!
Rrumbullak 315 milionë lekë të reja! Këshillit Bashkiak të Durrësit iu duk ide e shkëlqyer që qytetarët do të paguajnë 3 herë më shumë, prandaj e miratoi direkt këtë propozim.
Por prapë nuk gjejnë të ngopur. Në 2024-n, në 2025-n parashikohet të shkojë në 320 milionë euro. Kjo dihet ç’pasoja sjell. Këto para do u merren qytetarëve për t’i trefishuar fitimet Klodian Zotos. Mirë halleve që shtoi pandemia dhe tërmeti, por tani qytetarët e Bashkisë Durrës kanë mbi kurriz edhe Klodian Zoton e inceneratorëve.
Këto janë pyetjet tona për sot:
-Me ç’mendje trefishoni një taksë bashkiake pa ndërhyrë fillimisht në rroga dhe pensione?
-Përse kryebashkiakja Sako dhe Këshilli Bashkiak i Durrësit e pranuan këtë propozim radikal? Kush ju detyroi? Mbi ç’arsyetim ose studim u kërkua trefishimi i taksës së pastrimit?
-Ku do të depozitohen tani mbetjet e Durrësit? Në cilin incinerator do të digjen dhe ku ndodhet ky incinerator? Deri tani nuk kemi parë asnjë.
-Ku janë dokumentet që qartësojnë veçoritë teknike të këtyre inceneratorëve? Ç’teknologji përdorin? Se ju ”incinerator” i thoni edhe kazanit të mbeturinave që digjet në Sharrë. Tregoni ku ndodhet ky incinerator dhe shkojmë e shikojmë bashkë me mediat.
-SPAK, sa valium të kanë dhënë që nuk po zgjohesh nga gjumi?
Këto para nuk do t’u kthehen kurrë banorëve të Durrësit. Këto para nuk kanë destinacion pastrimin. Kjo taksë nuk do e bëjë Durrësin më të pastër, do e bëjë më të vjedhur.
Trefish më të vjedhur! Kjo është taksa që banorët e Durrësit do të paguajnë për Klodian Zoton në arrati dhe për shefat e tij në qeveri. Kjo është taksa Zoto, taksa e inceneratorëve që duhet të paguajnë të gjithë shqiptarët bashki më bashki, duke filluar nga Durrësi, sepse qeveria Rama kujdeset për qytetarët pa dallime politike e krahinore; i vjedh të gjithë njësoj.
Banorët e Durrësit nuk do të mbajnë me para një hajdut në arrati.
Durrsakët nuk do të paguajnë një taksë që nuk iu kthehet mbrapsht. Durrsakët nuk do të paguajnë! Qeveria ka për ta paguar!