Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Ballkani i Hapur do falimentojë bujqësinë, importet e prodhimeve bujqësore nga Serbia u rritën 250% brenda vitit


Kreu i PD-së Berisha po zhvillon një takim me fermerë e ekspertë të bujqësisë në vend.

Gjatë fjalës së tij ai paralajmëroi se hapja e doganave përmes nismës së Ballkanit të Hapur do falimentojë masivisht fermat në vend.

Ai theksoi se brenda një viti janë rritur 250% importet e prodhimeve bujqësore nga Serbia.

“Hapja e doganave në kuadër të Ballkanit të Hapur do të shënojë masivisht falimentimin e fermave tona. Vetëm brenda një viti janë rritur me 250% importet e prodhimeve bujqësore nga Serbia. Në një kohë kur subvencionet aktuale dhe në dekada për fermerët e ish-Jugosllavisë kanë qenë qindra herë më të mëdha se ato thërrimet që mund të kenë marrë fermerët shqiptarë.” – tha Berisha.

Më tej ai tha se 140 milionë euro që u lanë nga qeveria e tij për programin e vaditjes nuk dihet se ku kanë shkuar.

Gjithashtu ai tha se edhe blegtoria është në rënie të madhe duke theksuar se ka një rënie të madhe të lopëve, delebe e dhive në vend.

“Shqipëria është një vend plot ujë. Programet e vaditjes janë një dështim spektakolar. Në vitin 2013 u lanë të gatshme 140 milionë euro me Bankën Botërore për vaditje. Askush nuk di se çfarë u bë me to. HEC-i i Banjës u ndërtua me kushtin që të ishte edhe një vepër e madhe vaditëse, sikurse edhe energjetike. Nuk është bërë asgjë për fillimin e një impianti apo të kanaleve për të shfrytëzuar këtë digë për vaditje. Bujqësia është në rënie. Në rënie të madhe është blegtoria. Nga viti 2018 sipas statistikave të qeverisë janë më pak sot 130 mijë kokë lopë, janë mbi 300 mijë dele, 220 mijë dhi e me radhë. Në total janë 640 mijë lopë, dele, dhi, derra më pak sot se sa ishin në vitin 2018. Të gjitha këto për shkak të çrregullimit të madh të tregut. Për shkak të injorimit plotë të fermerit, mungesës së subvencioneve për kokë, për prodhim. Kjo qeveri, si në çdo sektor edhe në bujqësi ka dy mantra, mashtrimin dhe propagandën. 100 ferma thotë, 100 ferma të nomeklaturës socialiste të Saimir Tahirëve me shokë. Ky ishte zotimi i saj për bujqësinë.” – shtoi Berisha.