Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Duhet një strategji kombëtare për bujqësinë, fatkeqësi të mbetet ulliri pa shitur


Në bashkëbisedimin e tij të sotëm me fermerët, kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se është e nevojshme një strategji kombëtare për bujqësinë.

Sipas tij është fatkeqësi të mbetet ulliri pa shitur kur tregu është i pafund dhe qeveria sipas tij duhet të shohë për të gjitha mënyrat për të subvencionuar dhe shitur.

“Është e domosdoshme një strategji kombëtare për bujqësinë e cila të përcaktojë drejtimet kryesore të zhvillimit të bujqësisë së vendit. Shqipëria mund të bëhet konkurruese në dru frutorë. Tregu qoftë i ullirit, qoftë i druve frutë është i pafund në Europë.

Sot unë e di që ka fermerë që kanë tonelata vaji, sepse ky mban qëndrim armiqësor, kjo qeveri e nisi si armike ndaj ullirit dhe vazhdon me armiqësi. E mbani mend në Berat kur u thoshte i keni mbushur banjot me fuçi me ullinj. Çdo qeveri bën një politikë, nëse nuk i shitet e subvencionon. Mobilizon të gjithë diplomacinë tënde për ta shitur.

Në 1992 erdhi këtu kryeministri i Malajzisë, ne ishim siç ishim, tha nëse dëshironi të bleni vaj palme, ua japim me çmim shumë të leverdisshëm, ishte prodhues kryesor në atë kohë. Më tregon se ç’po bënte për të shitur vajin e palmës, edhe me klering, diku merrte klering, diku tanke dhe i paguante me vaj palme.

Të mbetet ulliri pa shitur kjo mbetet një fatkeqësi sepse tregu për ullirin është i pafund. Ne do vazhdojmë me projekte kombëtare. Bujqësia në çdo prodhim duhet të ketë subvencionim. Është e faktuar se subvencioni në bujqësi është fitim për të gjitha palët, nuk është humbje për shtetin, është fitim për individin, fitim për shtetin, fitim për shoqërinë. Subvencionin që jep Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, që jep Kosova, absolutisht ne do ta realizojmë pa asnjë hezitim. Sikundër do të rrisim buxhetin mbi 5%. Kjo rritje e buxhetit rikthehet në të ardhura po për buxhetin, përmirëson gjendjen ekonomike të fermerëve, përmirëson bilancin e pagesave duke përmirësuar eksportin.”– tha  Berisha.

Ai deklaroi se sot ka një rrokullisje në çdo fushë, duke theksuar se Tirana është e 243-ta në botë për kujdesin më të keq shëndetësor.

“Sot ka një rrokullisje. Nuk është vetëm në bujqësi, është në tërësi. Shihni turizmin kudo, është më shumë se i përgjysmuar. Është një sektor i rëndësishëm i jetës tonë ekonomike. Dy ditë më parë lexoja se Tirana, kryeqyteti, për të mos folur për Gramshin, Tropojën apo një rreth tjetër, renditej për kujdesin shëndetësor në vendin e 243 në botë. Kishte vetëm 10 qytete të mëdha me kujdes shëndetësor të keq si Tirana. Kujtdo që mund t’i duket çudi, i kujtoj që ne nga COVID u rreshtuam nga 4-5 vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë.”- tha Berisha.