Vendosni fjalën kyçe....

Japonia nxit qytetarët të pinë më shumë pije alkoolike mes rënies së të ardhurave në buxhet


Shërbimi tatimor japonez ka nisur një konkurs, duke u bërë thirrje qytetarëve që të gjejnë mënyra inovative për të ringjallur shitjet në rënie të alkoolit, duke shpresuar të inkurajojë të rinjtë që të dehen më shpesh dhe t’i japin një shtesë të ardhurave të qeverisë.

Agjencia Kombëtare e Taksave (NTA) e ka quajtur fushatën e re ‘Sake Viva!’ sipas pijes ikonë të orizit të Japonisë, duke i bërë thirrje kujtdo të moshës 20 deri në 39 vjeç që të paraqesë ide biznesi për industrinë e alkoolit në vend, e cila po ngec në vazhdën e Covid-19 dhe rënies së shprehive të pijes në mbarë vendin.

Siç vihet re në një faqe zyrtare të qeverisë që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare këtë javë pas raportimeve të mediave lokale, konkursi do zgjasë deri më 9 shtator dhe kërkon ‘prodhime dhe modele të reja’, si dhe mënyra për të nxitur pijen në shtëpi. Fituesit do ftohen në një ceremoni çmimesh në Tokio në nëntor dhe organi tatimor është zotuar të mbështesë investimet në idenë fituese.

NTA vuri në dukje se taksat mbi alkoolin përbënin rreth 3% të të ardhurave tatimore të qeverisë në vitin 2011, por kishin rënë në 2% deri në vitin 2020, duke përmendur nevojën për të rigjallëruar shitjet e pijeve alkoolike.

Siç shihet në të njëjtën grupmoshë në vende të tjera, të rinjtë në Japoni kanë ulur ndjeshëm konsumin e tyre të alkoolit në dekadat e fundit, me konsumin mesatar të të rriturve në vit duke rënë nga 100 litra në 1995 në 75 litra në 2020.

Megjithëse Ministria e Shëndetësisë e Japonisë tha se nuk po merrte pjesë në nismë, ajo shprehu shpresa se agjencia e taksave do nxiste vetëm ‘sasinë e duhur të konsumit të alkoolit’ dhe deklaroi se mbetet në kontakt me NTA për këtë çështje.