Vendosni fjalën kyçe....

Katër të vdekur në vrasje e atentate/ PD: Çuçi të shpallë plan veprimi konkret kundër gjakderdhjes ose të japë dorëheqjen


Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me atentatet e vrasjet që kanë tronditur vendin mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar katër viktima.

Në një dalje për mediat nga selia blu, Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu tha se Policia duhet t’i rikthehet detyrës ndërsa ministri i Brendshëm Bledi Çuçi të shpallë një plan masash kundër këtyre ngjarjeve ose të japë dorëheqjen.

“Partia Demokratike bën thirrje që Policia t’i kthehet detyrës dhe Ministri i Brendshëm të shpallë një plan veprimi konkret kundër gjakderdhjes ose të japë dorëheqjen!

Ndërkohë që mbështesim dhe vleresojmë punën e qindra uniformave që bëjnë çmos për trafikun, rendin dhe qetësinë, ne besojmë se puna e tyre dhe dashuria për atdheun, falimentohet çdo ditë nga shefat e lidhur me qeverinë dhe krimin.”- deklaroi Balliu.

Ky reagim i deputetit demokrat vjen pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në Vlorë, Sarandë e Elbasan në më pak se 24 orë, ku mbetën të vdekur 4 persona (lexo këtu).

DEKLARATA E BALLIUT

Katër jetë janë humbur në harkun e 24 orëve në qytetet e Shqipërisë.

Katër të vdekur në vrasje e atentate, që i shtohen një statistike të mynxyrshme të kësaj vere. Por kur shkon përtej statistikës dhe vetë vrasjeve, kupton se diçka më e thelle e kërcënon Shqipërinë. Pazotësia, pafuqia, përtacia, paqartësia dhe sidomos inkriminimi i kësaj qeverie në raport me rendin dhe sigurinë.

Shihni Elbasanin, qytetin e Taulantit që kërkon një post, me dy vrasje. Shihni Vlorën, qytetin ku kryevezir është Edi Rama, me 2 të vrarë lehtësisht, si të ishin një porosi nga menyja e drekës. Shikoni Ksamilin, një xhep të vogël, që në çdo kohë mund ta mbajnë nën kontroll 2 policë, tek futet në hartën e krimit, pasi policia e Çuçit është gjithkund, por jo aty ku janë problemet.

Partia Demokratike bën thirrje që Policia t’i kthehet detyrës dhe Ministri i Brendshëm të shpallë një plan veprimi konkret kundër gjakderdhjes ose të japë dorëheqjen!

Ndërkohë që mbështesim dhe vleresojmë punën e qindra uniformave që bëjnë çmos për trafikun, rendin dhe qetësinë, ne besojmë se puna e tyre dhe dashuria për atdheun, falimentohet çdo ditë nga shefat e lidhur me qeverinë dhe krimin.

Është koha që, si dora vrastare e krimit ashtu dhe rënia e lirë në të cilën ka lënë qeveria Rama rendin dhe sigurinë, të ndalen me çdo kusht.

Kur numri i vrasësve “të ikur në drejtim të paditur”, është i barabartë me numrin e të vrarëve, përgjegjës më shumë se bandat, është qeveria.