Vendosni fjalën kyçe....

Nga e nxorët “dialektin kosovar”, zoti President?


Nga Hysni Ndreu

Ndryshe nga shumë të tjerë, ajo që më shqetësoi te qëndrimi i Presidentit të Republikës në vizitën e tij në Kosovë nuk ishte mbështetja e sforcuar që i bëri “Ballkanit të Hapur”. Zoti Begaj u zgjodh president me ndërhyrjen dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama, prandaj nuk prisja që të dilte kundër “padronit” të vet, së paku jo ende pa u tharë boja e shkresës që e bëri të parë të vendit.

Po ashtu, ishte e pakëndshme të lexoje se Presidenti i Shqipërisë kish refuzuar të shkonte në selinë e LDK-së për të takuar kryetarin e saj, zotin Abdixhiku, por meqenëse nuk u dhanë informacione mbi arsyet e vërteta të këtij mostakimi, është mirë të mos tjerrim argumente paragjykuese në këtë pikë. Megjithatë, hartuesit e protokollit/agjendës së Presidentit mund ta kishin shmangur këtë fërkim, me qëllim që vizita e parë e tij jashtë vendit, mbi të gjitha në Kosovë, të mos shoqërohej me ndasi të kësaj natyre, por as të mbahej mend për debatet dhe hatërmbetjet që shkaktoi. Kosovës sonë i mjafton qëndrimi jomiqësor, akull i ftohtë, i kryeministrit Rama, i shprehur pa rezerva ndaj të gjithë kryeministrave dhe presidentëve të saj (përjashto Thaçin), prandaj e shoh të paarsyeshëm shtimin e radhëve që ushqejnë këtë lloj qasjeje. Nuk është e udhës që sot, mbas një shekulli, të vijojmë t’i japim edhe më kuptim shprehjes së At Fishtës: “Shqiptarët janë njashtu siç i do hasmi.”

Më fort nga sa më sipër më bëri përshtypje një hollësi tjetër, e cila kaloi në heshtje nga të gjitha mediet këndej e andej kufirit, ndoshta ngase as vetë ato, mediet pra, nuk kanë informacionin e duhur mbi çështjen në fjalë. Kam parasysh këtu një status të Presidentit Begaj, të lëshuar në faqen e tij zyrtare në Facebook gjatë ditës së parë të vizitës së tij në Kosovë. Në të, ndër të tjera shkruhej:

“I nderuar që vizitën time të parë si President i Republikës së Shqipërisë e bëj në Kosovë , në shtëpinë e shqiptarisë.”

Dhe më tej:

“Dy dialekte & një gjuhë, dy Republika & një komb, është harta e përbashkët patriotike me destinacion Brukselin dhe bashkimin tonë në aleancën EuroAtlantike.”

Kuptohet, pra, se, për zotin Begaj, Presidentin e Republikës, gjuha që flasin shqiptarët e Kosovës është një dialekt, ndërsa ajo e shqiptarëve të Shqipërisë një tjetër. Dhe, që e ka fjalën për një “dialekt të Kosovës” kuptohet qartë nga konteksti: dy republika dhe dy dialekte.

Është e vërtetë që Shqipëria dhe Kosova, në kushtet aktuale politike e shtetërore, përbëjnë dy republika, por nuk është aspak e vërtetë që gjuha e shqiptarëve të Kosovës përbën një dialekt dhe ajo e shqiptarëve të Shqipërisë një dialekt tjetër.

Sqarim, jo vetëm për Presidentin

Gjuha shqipe përbëhet nga dy dialekte: dialekti geg dhe dialekti tosk. Mirëpo dialekti geg nuk kufizohet thjesht e vetëm te shqiptarët e Kosovës, as thjesht e vetëm te “veriorët” e Shqipërisë. Ai nis që nga lumi Shkumbin e përfundon në Mitrovicë a më lart, gjer te shqiptari i fundit që mund të flasë shqip në Nish të Serbisë a më tej. Pra, t’i referohesh shqipes së shqiptarëve të Kosovës si dialekt, do të thotë të krijosh një ndarje gjeografikisht të re të dialekteve, duke lënë jashtë saj të gjithë Shqipërinë e Mesme (Elbasanin, Durrësin, Tiranën, Lushnjën, Librazhdin, Krujën), po ashtu edhe të gjithë Shqipërinë e Veriut (Pukën, Tropojën, Laçin, Shkodrën, Mirditën, Lezhën, Burrelin, Bulqizën, Peshkopinë, Kukësin), si dhe të gjithë shqiptarët e Malit të Zi, të Serbisë, të Maqedonisë apo edhe ata të Kroacisë.

Nisur nga kjo, statusi i Presidentit në Facebook ngjan si një mesazh përbashkues i Shqipërisë me Kosovën, kur thotë “një gjuhë… një komb”, por në të vërtetë thellon përçarjen, me nëntekstin: “Kosova, përveçse Republikë tjetër, ka edhe dialekt tjetër.” Ndarjen e njëfishtë (dy republika), e bën, pra, të dyfishtë (dy republika dhe dy dialekte).

Në këtë rast nuk flet logjika e Presidentit, por e pandërgjegjshmja e tij, ashtu si e shumë të tjerëve, që te shqiptarët e Kosovës shohin Tjetrin, jo Veten.

Gjuha e shqiptarëve të Kosovës nuk duhet shkoqur me një fjalë goje prej gjuhës së shqiptarëve të Shqipërisë. Dhe kjo le të jetë e të bëhet mësim për të gjithë, qofshin ato medie, institucione shtetërore apo individë, të cilët e thjeshtojnë ligjërimin në “dialekti yt, dialekti i tij, dialekti i tyre”, pa pasur njohuritë elementare mbi çështjen e gjuhës a të dialekteve.

Me Kosovën jemi një komb e një gjuhë, jo një komb e dy dialekte.