Vrasja masive e polakëve nga nacionalistët ukrainas gjatë Luftës së Dytë Botërore plotëson përkufizimin e gjenocidit dhe qeveria në Kiev do duhet ta njohë këtë herët a vonë, tha zv.ministri i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare të Polonisë Jaroslaw Sellin.
“Ata duhet ta pranojnë sepse është një fakt. Është thjesht një fakt. Një vendim politik u mor dhe u zbatua për spastrimin etnik, shfarosjen e të gjithë pakicës kombëtare që ka jetuar atje me shekuj.” – tha Sellin për Agjencinë Polake të Shtypit (PAP) gjatë një interviste televizive.
“Ky është gjenocid, i përshtatet të gjitha parametrave të përkufizimit të gjenocidit, kështu që këtu nuk ka diskutim. Ky është një fakt historik. Herët a vonë, ukrainasit do duhet ta njohin atë.” – shtoi ai.
Historianët polakë thonë se midis 100,000-130,000 polakë etnikë u masakruan nga ushtria kryengritëse e Ukrainës (UPA) e Stepan Bandera. Në vitin 2016, parlamenti në Varshavë miratoi një rezolutë që përcaktonte 11 korrikun si ditë përkujtimore të gjenocidit, duke iu referuar datës në të cilën UPA sulmoi 150 qytete polake në Volhynia dhe Galicia Lindore. Parlamenti në Kiev u përgjigj duke e denoncuar rezolutën si kundërproduktive.
Polonia ka përgatitur një propozim për një grup të përbashkët pune dhe ka dërguar listën e anëtarëve të saj në Ministrinë e Kulturës në Kiev, tha Sellin për PAP. Grupi i punës do fillonte kërkimin e varreve masive, do organizonte zhvarrosjet dhe varrosjet e duhura dhe do vendoste monumente për të përkujtuar të vdekurit.
“Ne jemi duke pritur për një propozim personeli nga pala ukrainase.” – tha ai.
Një pjesë e problemit, tha Sellin, ishte politika e qeverisë ukrainase për të lavdëruar UPA-në si nacionalistë ukrainas që luftuan kundër Bashkimit Sovjetik, duke injoruar gjërat e tjera që ata bënë, si gjenocidi ndaj polakëve. Si rezultat, tha ai, ekziston një ‘padije e vërtetë’ e masakrave të Volhyn në Ukrainë.
Detyra e Polonisë është të ndërtojë një të vërtetë të përbashkët historike, tha zëvendësministri, duke shtuar se ukrainasit ‘herët a vonë do vijnë në pikën ku një pjesë e traditave të këtij formacioni ushtarak dhe lëvizjeve politike nacionaliste pas tij janë të papranueshme, të denja për t’u dënuar’.
Bandera dhe UPA janë heronj kombëtarë në Ukrainën e sotme, të krijuar zyrtarisht si të tillë në vitin 2010 nga qeveria e Presidentit Viktor Jushçenko.