Pas dy pensionistëve italianë të cilët akuzohen se shitën ar të rremë si kokrriza, policia e Elbasanit ka arrestuar edhe pronarin e një argjendarie, një 53-vjeçar me inicialet J. T.
Ai akuzohet se ka kryer “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“Në vijim të operacionit policor të koduar ‘Fake Gold’, të finalizuar 2 ditë më parë, si rezultat i të cilit u arrestuan 2 shtetas italianë, për veprat penale ‘Kontrabanda me mallra të licencura’ dhe ‘Mashtrimi’, kryer në bashkëpunim, si dhe u sekuestruan sasi ari i rremë dhe i pastër, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, shtetasin J. T., 53 vjeç, banues në Elbasan, pronari i argjendarisë në qytetin e Elbasanit, ku u arrestuan në flagrancë 2 shtetasit italianë.”– njofton policia.
Riçardi Gennario dhe Fortunato Maddaloni, udhëtuan nga Italia për në Shqipëri duke vënë në jetë idenë e një biznesi tejet fitimprurës që u solli brenda tre muajve shumën prej 200 mijë eurosh fitime.
Sipas Policisë, dy italianët shisnin grimca materiali të ngjashme me ato të arit. Materiali ka rezultuar i përzier me metale të tjera dhe për këtë arsye mori emrin edhe operacioni, i koduar “Fake Gold”.
Skema e përdorur ishte kjo: fillimisht dy italianët u paraqisnin pronarëve të argjendarive grimcat prej ari të vërtetë dhe pasi binin dakord për blerjen prej tyre, u jepnin sasinë tjetër që ishte e përzier.