Vendosni fjalën kyçe....

Stuhitë e fuqishme në Itali, Austri e Francë i marrin jetën 13 personave, mes tyre edhe fëmijë


Stuhitë e fuqishme kanë goditur disa rajone në qendër dhe jug të Evropës, duke lënë të vdekur të paktën 13 persona, përfshirë tre fëmijë.

Vdekjet, që janë shkaktuar kryesisht nga rënia e drunjve, janë raportuar në Itali, Austri dhe ishullin francez, Korsika.

Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat kanë shkatërruar zonat e kampeve në këtë ishull francez, derisa për dëme është raportuar edhe në qytetin italian, Venecia.

Stuhitë vijnë pas disa javëve të të nxehtit ekstrem dhe thatësisë nëpër kontinentin evropian.

Në Korsika, erërat me shpejtësi në deri 224 kilometra katrorë kanë shkulur drunjtë dhe kanë dëmtuar shtëpitë mobile.

Autoritetet kanë thënë se një vajzë 13-vjeçare ka vdekur si pasojë e rrëzimit të një druri në kamp.

Një burrë ka vdekur në një aksident të ngjashëm, ndërsa një grua në moshë ka vdekur pasi makina e saj është goditur nga një çati e shkëputur nga shtëpia.

Dy persona tjerë kanë vdekur në det.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, ka arritur në Korsikë për të inspektuar dëmet dhe ka konfirmuar vdekjen e gjashtë në atë zonë.

Dhjetëra njerëz tjerë janë plagosur në tokë dhe det.

“Ne nuk kemi parë kurrë stuhi sikurse këto, duken sikurse stuhi tropikale”, ka thënë pronari i një restoranti në Korsika për agjencinë e lajmeve Reuters.

Valët e të nxehtit dhe stuhitë janë bërë më intensive dhe më të shpeshta në vitet e fundit, për shkak të ndryshimeve klimatike të nxitura nga njeriu.

Bota tashmë është ngrohur për 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale, dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, në rast se qeveritë në botë nuk marrin hapa për të ndalur emetimet e karbonit dhe gazrave tjerë.