Vendosni fjalën kyçe....

Atentat në Vlorë, ekzekutohen teksa lëviznin me makinë dy persona


Një atentat me armë zjarri ka lënë dy viktima në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur te Mbikalimi i Panajasë ndërsa mjeti ka përfunduar në kanal pas të shtënave.

Deri tani raportohet për dy viktima, të cilët janë ende brenda mjetit ndërsa ndaj mjetit në lëvizje dyshohet se është qëlluar me breshëri automatiku.

Më pas makina ka përfunduar në një kanal rreth 50 metra nga mbikalimi.

Policia ka gjetur një mjet të djegur në Frakull të Fierit që dyshohet se u përket autorëve. Brenda tij janë gjetur tre armë zjarri automatike që dyshohet se janë përdorur në atentat.

Njoftimi

“Sot, rreth orës 09:50, në dalje të fshatit Panaja, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në rrethana ende të pa qarta, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ndodhen brenda një automjeti tip “Benz”.

Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMW”, pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Nga kqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes, ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identfikimin dhe kapjen e autorit/ve, si dhe identifikimin e dy shtetasve të gjendur pa shenja jete.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, Delta Forcës e FNSH-së, në bashkëpunim me DVP Fier kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.”