Policia greke ka njoftuar këtë të enjtë se ka zbuluar një plantacion me kanabis dhe armatime të rënda në Janinë të Greqisë, ndërsa në pranga kanë rënë 2 grekë dhe një shqiptar.
Sikurse raportojnë mediet greke, pasditen e së mërkurës janë arrestuar dy grekë (52-vjeç dhe 29-vjeç) si dhe një shqiptar 50-vjeçar, ndaj të cilëve është ngritur një dosje për kultivimin e drogës dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Në kuadër të hetimeve për rastin, në zonën e plantacionit u gjetën dhe u konfiskuan gjithsej 47 fidanë kanabisi, mjete ujitëse dhe mjete bujqësore, ndërsa 5 pushkë luftarake tip kallashnikov, 6 pushkë luftarake të llojeve të ndryshme, 6 pushkë gjahu, 1 revole u gjetën në shtëpinë dhe kafenenë në pronësi të 52-vjeçarit.
Po ashtu policia sekuestroi 2 granata, 7 detonatorë dhe një fitil me djegie të ngadaltë, 3 bajoneta, 2 thika, 2961 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, 10 karikatorë dhe një shumë prej 1710 eurosh.