Vendosni fjalën kyçe....

Borxhi i ujësjellësve ndaj OSHEE, 6 ndërmarrje kanë 64% të totalit prej 184 milionë euro


Energjia është një nga zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve në ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve.

Sipas përllogaritjeve të bëra nga Enti Rregullator i Ujit kostot e saj zënë 29% të totalit të operimit në këto shoqëri dhe një pjesë e mirë e tyre e kane të pamundur të përballojnë faturat. Kjo ka bërë që vit pas viti të akumulohet një borxh jo i vogël që llogaritet në 184 milionë euro sipas ERRU në raportin e fundit të përformancës së sektorit,.

“Kostot e energjisë elektrike në sektorin e UK zënë rreth 29% të totalit të kostove O&M. Shoqëritë që nuk arrijnë të mbulojnë kostot e O&M e sigurojnë mbijetesën financiare me anë të subvencioneve nga qeveria qendrore, ose duke mos paguar faturën e energjisë elektrike ndaj OSHEE-së. Kjo gjendje ka sjellë një borxh të akumuluar të sektorit ndaj OSHEE prej rreth 11.9 miliard lekë (rreth 100 milion euro), që së bashku me kamatëvonesat në vite arrin në rreth 21.9 miliard lekë (rreth 184 milion euro)” thuhet në raport.

Vetë Enti duke pasur parasysh situatën ka bërë një studim të pavarur i cili është rifreskuar më pas me të dhënat e fundit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke nxjerrë në pah problematikat e mbulimit të kostos së energjisë. Studimi është fokusuar në 6 ndërmarrje që në fakt mbajnë edhe shumicën e borxhit total të energjisë.

“Analiza është fokusuar kryesisht për 6 shoqëri UK, respektivisht, Durrës, Vlorë, Patos, Kavajë, Kurbin dhe Krujë, shuma e borxheve të të cilave përbën rreth 64% të borxhit total të sektorit UK ndaj OSHEE-së. Kostot e energjisë për këto shoqëri variojnë nga 21% deri 62% të kostove O&M” thuhet në dokument.

Në rekomandimet që ERRU jep për të përmirësuar situatën e shoqërive në raport me shlyerjen e detyrimeve të energjisë bëjnë pjesë hapa që duhet të ndërmerren sa i takon rritjes së eficiencës së energjisë. Për secilën shoqëri ERRU rekomandon që të merren studime dhe të analizohet efikasiteti i përdorimit të energjisë. Enti thekson gjithsesi se për çdo shoqëri duhet të ketë analizë të veçante.

Mbulimi i kostove mund të bëhet edhe duke rishikuar tarifat e disa ujësjellësve por kur këta të fundit kanë përmbushur kriteret që kërkohen në vlerësimin e tyre të performancës.

“Kontrata e performancës dhe niveli i ri tarifor duhet të shërbejnë si bazë për vlerësimin real të nevojave për subvencione për çdo shoqëri debitore ndaj OSHEE-së.

Detyrimet që i përkasin kamatë-vonesave për faturat e papaguara të energjisë së shoqërive UK ndaj OSHEE-së propozohet që të mund të rishikohen dhe të likuidohen me marrëveshje të veçanta ndërmjet secilës shoqëri dhe OSHEE-së.

Shoqëritë duhet të ndërgjegjësohen dhe të bëjnë çdo përpjekje e cila kontribuon në rritjen e efiçencës së energjisë, dhe për rrjedhojë ul konsumin e energjisë dhe koston e saj, duke filluar me hartimin e planeve të efiçencës së energjisë” thuhet në përfundimet e Entit./N.Maho

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor