Policia ka arrestuar një nga personat e shpallur në kërkim për operacionin “Plumbi i Artë” duke e çuar numrin e të ndaluarëve në 19.
Gjatë fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Golden bullet” u arrestua, nga strukturat e DVP Durrës, shtetasi Agimi Gjini.
Si rezultat i këtij operacioni, më 19 maj, u ekzekutuan 18 urdhra të lëshuar nga SPAK.
Ky operacion u krijua pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe bashkëpunimit të tij me organet e drejtësisë.
Dumani në dëshminë e tij thotë Agim Gjini është përfshirë me të dhe Talo Çelën në një rast grabitje ku një personi i identifikuar si Astrit Ademi I kanë thyer xhamin e makinës dhe i kanë marrë rreth 20 mijë euro dhe janë larguar.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë, të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, shërbimet operacionale të DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas të kërkuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden bullet”, organizuan dhe finalizuan fazën e dytë të këtij operacioni.
Si rezultat u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. Gj., 49 vjec, banues në Durrës.
Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Golden bullet”.
Operacioni i koduar “Golden bullet” u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe nisi menjëherë pas arrestimit të të shumëkërkuarit, shtetasit Nuredin Dumani, i cili u arrestua si rezultat i operacionit policor të koduar “Arratia”, operacion i cili u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.