Shkencëtarët australianë duan të përdorin teknika të përparuara të inxhinierisë gjenetike për të krijuar një qelizë të gjallë artificiale të një tigri tasmanian dhe më pas të prodhojnë anëtarë të rinj të llojit të zhdukur.
Projekti po ndiqet nga një laborator në Universitetin e Melburnit, i cili njoftoi këtë javë se ka partneritet me një firmë gjenetike me bazë në Dallas, SHBA, të quajtur ‘Colossal Biosciences’.
Laboratori australian, i njohur me akronimin TIGRR, ka nevojë për ekspertizë amerikane dhe fuqi llogaritëse për të rikrijuar gjenomin e kafshës bazuar në sekuencën që ka bërë në vitet e mëparshme.
Ata thonë se të dhënat e tyre të gjeneve janë më të mirat në dispozicion për një kafshë të zhdukur deri më tani, duke u dhënë atyre shpresa të mëdha për sukses.
“Shumë sfida me përpjekjet tona mund të kapërcehen nga një ushtri shkencëtarësh që punojnë në të njëjtat probleme njëkohësisht, duke kryer dhe bashkëpunuar në eksperimentet e shumta për të përshpejtuar zbulimet.” – tha profesor Andreë Pask, kreu i TIGRR.
Bashkëpunimi u bë i mundur nga një grant bujar i marrë nga universiteti pasi ekipi i TIGRR shpjegoi planin në mars, thuhej në njoftim. Kafsha u quajt tigër për shkak të vijave dalluese në pjesën e poshtme të shpinës.
Tigri i Tasmanisë u zhduk nga gjuetarët dhe konkurrentët e rinj si dingot në gjysmën e parë të shekullit të 20-të.
Laboratori TIGRR do përqendrohet në zhvillimin e teknikave për shtatzëninë in-vitro të marsupialëve.
Ky lloj gjitari është i dallueshëm për lindjen e foshnjave të vogla, të cilat kalojnë javë ose muaj duke u ushqyer dhe rritur në qesen e barkut të nënës përpara se të zhvillojnë autonominë. Kjo do të thotë se shtatzënia e tyre është relativisht e thjeshtë dhe mund të rikrijohet artificialisht, shpresojnë shkencëtarët.