Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptarët i besojnë më shumë euros si monedhë, mbajtja e parasë fizike në nivelet e një dekade më parë


Shqiptarët po i besojnë gjithnjë e më shumë Euros si monedhë për të mbajtur kursime dhe për të kryer transaksione ekonomike.

Nëse rritja e depozitave bankare në Euro është një tregues i qartë dhe i prekshëm në vitet e fundit, një vrojtim i Bankës Qendrore të Austrisë tregon se vitin e kaluar është rritur edhe mbajtja e parasë fizike në Euro dhe niveli i përgjithshëm i indeksit të Euroizimit të ekonomisë.

Indeksi i Euroizimit është një tregues i përgjithshëm i shkallës së Euroizimit të ekonomive të Europës Qendrore dhe Juglindore, i ndërtuar duke kombinuar të dhëna mikro të vrojtimit që lidhen me mbajtjen e parasë fizike në Euro, si edhe me të dhënat makro të depozitave në valutë të individëve sipas formulës: [para fizike (cash) në Euro për frymë + depozitat në valutë për frymë] / (totali i parasë fizike për frymë në qarkullim+totali i depozitave për frymë).

Referuar këtij indeksi, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, shkalla e Euroizimit të aseteve të individëve, në terma absolutë, varion nga nivele mesatare deri në të larta për disa vende të rajonit.

Bazuar në rezultatet e fundit, niveli i Euroizimit gjatë vitit 2021 është rritur për 6 nga 10 vendet e shqyrtuara, kryesisht si rezultat i rritjes së mbajtjes së parasë fizike në Euro, një dukuri e shprehur më së shumti në vendet e rajonit, ku kryeson Maqedonia e Veriut, ndjekur nga Serbia dhe Shqipëria. Për Shqipërinë, shuma e parasë fizike për frymë që mbahet nga individët në Euro është rritur, duke u rikthyer në nivele të ngjashme me mesataren e vitit 2011-2012.

Po ashtu, edhe preferenca e individëve për të ruajtur kursimet në Euro është rritur, duke bërë që indeksi i Euroizimit të prekë nivele disi më të larta krahasuar me mesataren historike.

Në lidhje me nivelin e besimit ndaj monedhës vendase, se ajo do të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme në pesë vitet e ardhshme, rezultatet e vrojtimit për Shqipërinë kanë shënuar rënie gjatë 2021.

Po ashtu, kur të intervistuarve u kërkohet të krahasojnë Euron dhe monedhën vendase për sa i përket besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë në të ardhmen, individët më së shumti vijojnë të vlerësojnë më shumë monedhën Euro. Kjo tregon se vlerësimi i stabilitetit dhe besueshmërisë së Euros është më i lartë në krahasim me monedhën vendase.

Për vitin e kaluar, Shqipëria shënoi rezultatin më të lartë të hendekut mes Euros dhe monedhës vendase, krahasuar me të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Një vrojtimin e fundit gjithashtu vërehet rritja e përqindjes së të anketuarve shqiptarë që planifikojnë të marrin kredi në monedhë të huaj brenda vitit të ardhshëm.

Kjo vlerë është më e larta për të gjitha vendet e anketuara, duke përjashtuar Kroacinë, e cila planifikon të hyjë në Eurozonë dhe të përdorë monedhën e përbashkët Euro prej 1 janarit 2023. Sa i përket besimit të individëve që depozitat e tyre në sistemin bankar janë të sigurta, Shqipëria vijon të shënojë kuotat më të larta krahasuar me vendet e tjera, dhe ky besim ka ardhur në rritje gjatë vitit të fundit./E.Shehu

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor