Pas vrasjes së 33-vjeçarit Madrit Ulqinaku në Elbasan dhe arratisjes së autorit të dyshuar, nënkomisarja e policisë së Elbasanit Anisa Kostani ka sulmuar në rrjetet sociale gazetarët për raportimet në lidhje me këtë ngjarje.
Anisa Kostani ditën e djeshme (18 gusht) ka polemizuar me mediat duke i përçmuar gazetarët në profilin e saj në rrjetin social instagram ku përdor terma të tillë si “pseudo-gazetarë, jeni të lirë të shkoni në parajsë, kujdes mos digjeni në Ferr, të degjeneruar, i keni pas profesorët “Don Zhuana”, zhgarravisni” etj.
Nënkomisarja nuk i ka kursyer “shigjetat” as ndaj qytetarëve të Elbasanit që duhet të arsimohen e kulturohen që në vogëli dhe këtë nuk ua mëson Policia etj. etj.
Ky reagim ka marrë vëmendjen e gazetarëve dhe mediave të cilat kanë reaguar kundër deklaratave të saj.
Kostani është kthyer në një figurë publike për shkak të imazhit të saj shumë të kuruar, pasionit për shpëtimin e kafshëve, sportin dhe fotografitë e modës, natyrshëm dhe ky reagim dhe kjo gjuhë ndaj medias ka marrë vëmendje maksimale.
Me reagimin e djeshëm ajo është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes ku një sërë artikujsh janë shkruar për të dhe shpërndarë me shpejtësi.
Ndërkohë ndaj saj raportohet se ka nisur një hetim administrativ nga Agjencia e Mbikqëyrjes Policore.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar për ABC në lidhje me Nënkomisaren e Policisë së Elbasanit, Anisa Kostani, e cila shpërtheu ditën e djeshme në rrjetet sociale me komente ofenduese ndaj gazetarëve.