Të tjera detaje mësohen lidhur me sulmin ndaj dy ushtarakëve shqiptarë në Uzinën e Armëve në Gramsh. Hashtag ka mësuar se dy nga të dyshuarit, një burrë dhe një grua, kishin pasaporta ruse, ndërsa i dyshuari i tretë ishte me pasaportë ukrainase.
Megjithatë po vijojnë verifikimet mbi identitetin e tyre pasi pasaportat e të dyshuarve mund të jenë dhe false.
Të huajt kanë përdorur neuroparalizues kur kanë sulmuar dy ushtarakët shqiptarë, dhe ende nuk dihet se çfarë efektesh mund të kenë. Për momentin të gjitha institucionet janë përfshirë në hetime, edhe Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, pasi ky është një rast i paprecedentë dhe dyshimet janë se këta shtetas të huaj kanë ardhur me mision në Shqipëri.
Vërdallë “për foto” prej disa ditësh
Tre shtetasit e dyshuar sipas “News 24” janë parë nga banorët prej disa ditësh duke bërë xhiro pranë uzinës dhe mbrëmjen e sotme kanë tentuar të hyjnë brenda, por janë pikasur nga ushtarët roje.
Ata kanë debatuar dhe më pas sulmuar me lëndë kimike ushtarakët që ruanin godinën.
Vetëm një prej rusëve është kapur dhe neutralizuar nga rojet dhe atij i është zbuluar një pasaportë ruse.
Pas sulmit, drejtues të Antiterrorit kanë mbërritur në vendngjarje. Dyshohet se tre të huajt që mbanin në duar disa harta dhe aparate fotografikë, mund të jenë pjesë e një agjenture dhe ishin në Shqipëri për spiunazh. Në mikroçipe ata kishin foto të Uzinës së Armëve. Por informacionet zyrtare pritet të konfirmohen nga autoritetet.
Ushtarët shqiptarë të cilët janë gjetur në tokë nga kolegët pa ndjenja, ndodhen aktualisht në spitalin e Traumës. Sipas “Report TV” ata mund të kenë humbur shikimin.
Reagimi zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për incidentin e rëndë duke thënë se tre të dyshuarit kishin pasaporta ruse dhe ukrainase dhe janë ndaluar nga autoritetet.
“Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Gjendja shendetesore e dy ushtarakeve shqiptare eshte e stabilizuar.”– thuhet në njoftimin e ministrisë.