Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se i vodhi e më pas i dogji të gjallë të moshuarën dhe nipin e saj në Greqi, arrestohet në Maltë 36-vjeçari shqiptar


Policia malteze ka arrestuar një 36-vjeçar shqiptar pas një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet greke.

Ledjon Brakaj, ishte në kërkim për një vrasje të dyfishtë dhe zjarrvënie në Greqi. Ai u paraqit në gjykatë të shtunën për procedurat e ekstradimit.

Siç shkruajnë mediet malteze, Brakajt i është caktuar masa e paraburgimit.

Prokuroria i tha gjykatës se i akuzuari u kap kur u gjetën gjurmët e gishtave të tij që përputheshin me ato të dërguara nga autoritetet në Greqi. Avokati mbrojtës Franko Debono, megjithatë, tha se këto prova nuk janë paraqitur në gjykatë dhe gjithashtu tha se nga dokumentet e ekspozuara nga prokuroria, jo të gjithë emrat përputhen me ata që i përkasin të akuzuarve.

Por lirimi me kusht nuk u kërkua.

Vrasja e vitit 2015

Brakaj dyshohet për vrasjen e pronares në pension të një dyqani suveniresh, Irini Marmarino dhe nipit të saj Lambros Protonotarios brenda shtëpisë së saj në vitin 2015 dhe i grabiti atyre rreth 780 mijë euro para të thata dhe sende me vlerë.

Sipas medias greke Anikoluli.Gr, viktimat janë rrahur dhe djegur të gjallë.

Mjeku ligjor i Pireut, Elias Bogiokas thotë se viktimat u sulmuan me shkelma, grushta ose shkop dhe më pas u dogjën të gjallë.