Kryeministri polak Mateusz Morawiecki, i ka dalw në mbrojtje homologes së tij finlandeze pas daljes të videove ku shefja e qeverisë së Helsinkit shfaqet të dëfrehet me miqtë e saj të ngushtë në kërcime dhe këndime.
“Po, mund të them se e kam parë videon e kryeministres Sanna Marin që kërcen dhe mendoj se ajo ka një arsye të jetë e lumtur pasi Finlanda iu bashkua NATO-s. Kështu që nëse kryeministrja e Finlandës konsumoi pak më shumë vodka dhe për shkak të saj kërceu, nuk ka asgjë të tmerrshme këtu. Jam shumë i lumtur që ajo e ndau me ne atë lumturi”, tha kryeministri i Polonisë.
Videot e Sanna Marin të bëra publike u shoqëruan me polemika të mëdha në Finlandë. Imazhet ku kryeministrja feston e shfrenuar me miqtë e saj, të cilët janë figura publike dhe artistë të njohur në vend, u bënë menjëherë virale duke bërë xhiron e botës.
Për këtë arsye, disa politikanë të opozitës ngritën dyshime se shefja e qeverisë mund të kishte konsumuar substanca të paligjshme. Por, Sanna Marin njoftoi se i është nënshtruar një testi droge, dhe ka mohuar që të ketë përdorur drogë ndonjëherë në jetën e saj.
Ndërkohë, 36-vjeçarja është kryeministrja më e re në moshë në mbarë botën dhe nuk e ka mbajtur asnjëherë sekret frekuentimin e festave me muzikë dhe shpesh është fotografuar në festivale. Javën e kaluar, Marin u zgjodh si kryeministrja më interesante e globit nga media gjermane Bild.