Vendosni fjalën kyçe....

Militantët e “Al-Shabab” sulmojnë një hotel në Somali, deri tani raportohet për 12 viktima


Të paktën 12 persona janë vrarë pasi militantët e al-Shabab sulmuan një hotel në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.

Siç shkruan BBC, ngjarja ka ndodhur të premten mbrëma kur sulmuesit shpërthyen të paktën dy eksplozivë jashtë hotelit përpara se të hynin në ndërtesë dhe të hapnin zjarr.

Të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime të vazhdueshme u raportuan dhe të shtunën ndërsa forcat e sigurisë luftuan me një grup personash të armatosur që ishin ende brenda duke mbajtur pengje.

Dhjetra klientë dhe anëtarë të stafit janë shpëtuar.

“Deri më tani ne kemi konfirmuar 12 persona, kryesisht civilë, të vdekur.”- tha Mohammed, një oficer i inteligjencës që dha vetëm emrin ndërsa fliste për agjencinë Reuters.

Një faqe interneti e lidhur me al-Shabab tha se një grup militantësh po “kryenin të shtëna të rastësishme” pasi “hynë me forcë” në hotel.

Drejtori i spitalit kryesor të traumës në Mogadishu, Dr Mohamed Abdirahman Jama, i tha agjencisë së lajmeve AFP se në këtë spital po trajtohen të paktën 40 persona të plagosur nga ky sulm dhe një tjetër sulm i ndodhur në një pjesë tjetër të qytetit.

Ndërkohë, familjarë e miq të njerëzve ende të bllokuar ose të pagjetur janë mbledhur jashtë hotelit.

“Po bëhen shumë përpjekje, ambulanca, zjarrfikësit, policia, të gjithë në gatishmëri për të shpëtuar atë që munden në vendin e ngjarjes, por vendi i ngjarjes është shumë i vështirë për t’u aksesuar sepse civilët, të afërmit me të cilët kemi folur po thonë se të dashurit e tyre janë ende të bllokuar.”– tha ai gazetari Abdalle Mumin.