Udhëheqësit e Kinës dhe Rusisë planifikojnë të marrin pjesë në samitin e G20 që mbahet në nëntor. Kështu ka thënë organizatori i këtij samiti.
Presidenti indonezian Joko Widodo i tha Bloomberg në një intervistë se ai kishte marrë garanci nga të dy presidentët Xi Jinping dhe Vladimir Putin se ata do të merrnin pjesë në konferencën e planifikuar për në nëntor në ishullin indonezian të Balit.
“Xi Jinping do të vijë. Presidenti Putin gjithashtu më ka thënë se do të vijë.”- tha ai, sipas Bloomberg.
Prania e dy liderëve do të rrisë pritshmëritë dhe rëndësinë për samitin e G20, që është i pari që mbahet që nga pushtimi rus i Ukrainës dhe rritja e tensioneve rreth çështjes së Tajvanit.
As Putin dhe as Xi nuk morën pjesë në G20 të vitit të kaluar në Romë. Xi vetëm kohët e fundit ka filluar të udhëtojë jashtë Kinës kontinentale pasi pandemia Covid-19 po zbehet.
Shtëpia e Bardhë nuk ka njoftuar zyrtarisht udhëtimin e presidentit amerikan Joe Biden në Azi për samitin, por zyrtarët thonë se ai pritet të marrë pjesë.
Zyrtarët amerikanë dhe kinezë kanë punuar në heshtje për të organizuar takimin e parë ballë për ballë midis Bidenit dhe Xi që kur Biden mori detyrën.
Tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë përkeqësuar javët e fundit pas vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan. Kina ka shtuar stërvitjet ushtarake dhe testet e armëve dhe ka mbyllur disa kanale komunikimi me Shtetet e Bashkuara.
Gjatë bisedës së tyre të fundit telefonike, Biden dhe Xi ranë dakord të dy të punonin drejt një takimi personal.
CNN shkruan gjithashtu se Biden dhe këshilltarët e tij kanë biseduar për muaj me radhë rreth asaj se si t’i qasen G20-ës nëse Putini merr pjesë, dhe kjo ishte një temë diskutimi gjithashtu midis liderëve të tjerë botërorë në samitin e G7 të mbajtur në Gjermani në fillim të kësaj vere dhe në një samit të NATO-s në Bruksel në mars.
Biden ka thënë se Rusia duhet të përjashtohet nga G20 dhe anëtarët e lartë të administratës së tij janë larguar nga eventet e G20 ku zyrtarët rusë ishin të pranishëm.
Por bojkotimi i samitit të G20 nuk u konsiderua seriozisht pasi Biden dhe ekipi i tij nuk donin të dukeshin se po ia dorëzonin tryezën Putinit.