Forcat ruse në Krime janë shënjestruar nga një sulm i ri me dron. Udhëheqësi rajonal i emëruar nga Rusia Mikhail Razvozhayev tha se një dron ukrainas që synonte flotën ruse të Detit të Zi në qytetin e Sevastopolit u rrëzua të shtunën.
Ky sulm pason një varg sulmesh të mëparshme ndaj forcave dhe instalimeve ruse në gadishullin e aneksuar këtë muaj.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës ka përshëndetur një marrëveshje që lejon inspektorët e OKB-së të vizitojnë centralin bërthamor të Zaporizhzhia të mbajtur nga Rusia, që ndodhet më në veri.
Guvernatori Mikhail Razvozhayev, hodhi poshtë seriozitetin e incidentit.
Ai tha se mbrojtja ajrore e flotës ishte aktivizuar dhe droni ukrainas ishte shkatërruar. “Ra në çatinë e selisë.”- tha ai sipas BBC. “Nuk ka pasur dëme të konsiderueshme dhe askush nuk është lënduar”.
Disa sulme me dronë janë raportuar në Krime ditët e fundit, duke përfshirë një në një bazë ajrore pranë qytetit Sevastopol të enjten dhe një tjetër në port të premten.
Po ashtu, në fillim të muajit, nëntë avionë rusë u shkatërruan në një sulm në bazën ushtarake ruse në Saky, në bregun perëndimor të Krimesë.