Gazetarja e njohur Anila Hoxha ka reaguar pas incidentit të mbrëmjes së kaluar në Gramsh, duke theksuar se nuk është aspak e vërtetë që Uzina nuk ka pasur aktivitet.
Në një postim në llogarinë e saj në “Facebook”, Hoxha tregon se në një e-mail të dërguar një vit më parë, nga Ministria e Mbrojtjes konfirmohej se në këtë uzinë po demontoheshin dhjetra-mijëra armë dhe municione, përfshi 5 ton lëndë plasëse.
Sipas gazetares, dy shtetasit rusë dhe ukrainasi nuk janë thjesht “blogerë” me dronë dhe aparate fotografuese, por ata kanë cenuar rëndë sigurinë kombëtare duke u futur në territorin e objektit ushtarak dhe duke bërë fotografi.
“Për shkak se po mbledh të dhëna për dokumentarin Exclusive, informacioni i saktë është se në Uzinën Mekanike të Gramshit ka armë që demontohen. Nuk është muze dhe PO është zonë ushtarake. Këta ‘blogerët’ rusë që hyjnë e përleshen me ushtarët shqiptarë kurse bashkëpuntorët e tyre tentojnë të arratisen kur e kanë makinën me drone e aparate, pa egzagjerim kanë prekur sigurinë kombetare.
Shqipëria është vend anëtar i NATO dhe rusët kanë kohë qe kryejnë aktivitete spiunazhi këtu. Ti shohim faktet në sy edhe nëse ‘blogerët’ përdorin spray kimik.
Poshtë përgjigjja e Ministrisë së Mbrojtjes (e shkurtuar nga unë) për Uzinën e Mekanike të Gramshit, nisur me email një muaj më parë. Ministri i Mbrojtjes duhet të informohet më mirë për armët që gjenden në Uzina dhe JO, s’është e vërtetë qe aty s’ka aktivitet. E njëjta Ministri pranon demontimin në emailin e nisur dhe për gjendjen stok të armeve nën proces aty.”- shkruan Hoxha.