Ministria e Mbrojtjes ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me ndalimin e 4 turistëve çekë në Uzinën e Poliçanit, të cilët janë parë duke fotografuar.
Incidenti thuhet se ka ndodhur rreth orës 08:40 të mëngjesit e sotëm, në një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit ku janë konstatuar dy turistë çekë. Më pas janë ndaluar edhe dy bashkëjetueset e tyre, gjithashtu me kombësi çeke të cilat i prisnin jashtë perimetrit të repartit.
“Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar.
Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke.
Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm.
Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend.”– thuhet në njoftimin për mediet.