Vendosni fjalën kyçe....

DYSHIME PËR BLOF – Policia mund të ketë arrestuar dy blogerë të njohur rusë


Ndërsa policia dhe Ministria e Shëndetësisë kanë konfirmuar stabilizimin e gjendjes së dy ushtarëve rojë në Uzinën e Gramshit, disa debate të blogerëve në Twitter hedhin dyshimet se në fakt rusët e arrestuar mund të jenë dy blogerë të mirënjohur rusë, që prej vitesh fotografojnë rrënojat e ndërtesave ose reparteve ushtarake të Ish-Bashkimit Sovietik ose ish-vendeve satelite.

Fillimisht indicio u dha në një postim në Twitter ku një komentues sqaronte se në Shqipëri prej disa ditësh ka ardhur një blogere ruse e cila ka një faqe shumë të ndjekur në rrjete sociale të quajtur “Lana Sator”. Emri “Lana” përputhet dhe me dokumentet e publikuara në media të cilat orientonin se shtetasja ruse e arrestuar nga policia quhej Svetlana Valerevna.

Nëse shkon në profilin e “Lana Sator” në Instagram në seksionin “Story” ndër të tjera paraqitet një foto e një dere të një tuneli ushtarak ku shkruhet:

“Shumica e dyerëve të bunkerëve në Shqipëri janë prej betoni. Më rrallë mund të hasësh dyer që janë beton dhe hekur Brenda”

Postimet e blogeres dhe fotografes Lana Sator japin si indikacion Shqipërinë, madje një bazë të nëndheshme ku ajo së bashku me dy miqtë e saj kanë mundur të futen dhe të bëjnë fotografime, madje dhe video.

Videot dhe fotot i kanë publikuar online që të paktën prej orës 16:00 të së shtunës së 20 gushtit.

Këto gjurmë të kapura deri tani, hapin një pistë të re pasi përveçse si një aksion i dyshuar agjenturor, ajo çfarë ka ndodhur mund të jetë dhe një keqkuptim i madh  ku tre blogerë aventurierë janë përplasur me dy ushtarakët roje shqiptarë.

Gjithësesi vetëm një verifikim i plotë nga ana e autoriteteve sa i takon personazheve të arrestuar do të konfirmojë nëse bëhet fjalë për blogerët apo për persona të tjerë.

Nëse janë blogerët, ka gjasa që alarmi të shfryhet, sepse nuk është në natyrën e shërbimeve sekrete të publikojnë të dhënat në rrjete sociale. / Hashtag.al