Vendosni fjalën kyçe....

Turqia paralajmëron Suedinë e Finlandën: Do e shihni me dylbi NATO-n nëse s’përmbushni kërkesat tona


Suedia dhe Finlanda nuk do bëhen anëtarë të NATO-s nëse vazhdojnë të anashkalojnë kërkesat e Ankarasë për ekstradim, tha ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdag.

“Deri më tani, asnjë nga personat e akuzuar për terrorizëm, ekstradimi i të cilëve nga Suedia dhe Finlanda u kërkua nga Turqia, nuk është kthyer.” – u tha Bozdag gazetarëve të shtunën.

“Pritja jonë nuk ka të bëjë me ata që akuzohen për mashtrim. Qeveritë suedeze dhe finlandeze duhet ta kuptojnë këtë shumë mirë.”

Bozdag tha se procesi i anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO ‘nuk do bëjë asnjë hap përpara’ nëse çështja nuk zgjidhet.

Turqia ra dakord të mbështesë zyrtarisht ftesën e dy shteteve nordike për t’u bashkuar me bllokun ushtarak të udhëhequr nga SHBA në qershor me kusht që ata të mos mbështesin organizatat që Ankaraja i sheh si grupe terroriste. Turqia që atëherë ka deklaruar se Suedia dhe Finlanda nuk kanë respektuar këtë marrëveshje.

Ankaraja ka kërkuar ekstradimin e 33 personave të akuzuar për terrorizëm, sipas mediave të vendit. Qeveria suedeze, ndërkohë, tha këtë muaj se do ekstradonte një person të dënuar për mashtrim me karta krediti.

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha në qershor se Stokholmi po trajton ekstradimet në Turqi në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe evropian. Ajo shtoi se Suedia nuk i mbështet njerëzit që përbëjnë kërcënim për sigurinë turke.