Shumë ukrainas kanë kritikuar ashpër pohimin e presidentit Zelensky se ai fshehu lajmet për sulmin rus pranverën e kaluar.
Kjo sipas Washington Post, ku ai e bëri zbulimin në fillim të kësaj jave. Zbulimi i Zelensky se ai sakrifikoi jetë për të shmangur shkatërrimin e ekonomisë ishte gabimi i tij i parë serioz në komunikim që nga fillimi i konfliktit, tha gazeta.
Në intervistë, Zelensky pranoi se para shpërthimit të armiqësive me Rusinë, ai po minimizonte paralajmërimet e SHBA-së për një sulm të afërt nga frika se ukrainasit do largoheshin masivisht nga vendi.
“Nëse do ta kishim komunikuar këtë, atëherë unë do të kisha humbur 7 miliardë dollarë në muaj që nga tetori i kaluar.” – tha ai.
Zelensky pretendoi se kjo lëvizje e tij e pengoi Rusinë të pushtonte vendin në tre ditë.
Në fund të janarit, Zelensky u premtoi ukrainasve një vit të qetë, duke deklaruar se njerëzit do të festonin me njëri-tjetrin gjatë festave të majit, siç bëjnë gjithmonë. Deklarata erdhi disa ditë pasi ai u takua me drejtorin e CIA-s, William Burns, i cili thuhet se paraqiti në hollësi planet ushtarake të Rusisë.
Ukraina mund të ishte përgatitur për luftimet shumë më mirë, duke grumbulluar ushqime dhe duke përditësuar infrastrukturën e mbrojtjes civile dhe duke shpëtuar shumë jetë që humbën, argumentuan kritikët. Disa vunë në dyshim motivet e Zelensky për të mos informuar publikun.
Disa nga mbështetësit e Zelensky argumentuan se njerëzit mund të kishin dëgjuar zyrtarët amerikanë, të cilët dhanë paralajmërime publike për kërcënimin rus, në vend që t’i besonin presidentit të tyre, thuhet në shkrim.