Vendosni fjalën kyçe....

Arrijnë në 15 mijë të huajt që jetojnë në Shqipëri, gjysma për të punuar; Kryeson Irani, Italia dhe Kosova


Ka arritur pothuajse në 15 mijë numri i të huajve që jetojnë në Shqipëri me leje qëndrimi, ndërsa pothuajse gjysma e tyre janë për arsye pune.

Sipas INSTAT, Në fund të vitit 2021, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 14.921 banorë, duke pësuar rritje me 9,6%, krahasuar me 2020.

Numri i të huajve rezidentë në 2021 dominohet nga meshkujt me 63,0 % kundrejt femrave me 37,0%.

Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2021 ishte 9.106 aplikime, duke shënuar një rritje me 18,9%, krahasuar me vitin 2020.

Të huajt rezidentë me origjinë nga Irani, Italia dhe Kosova përbëjnë numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në 2021, respektivisht me 2.586, 2.324 dhe 1.869 banorë.

Të huajt me origjinë nga Evropa, në vitin 2021 rezultojnë 8.812 banorë dhe përbëjnë 59,1% të të huajve gjithsej kundrejt 56,8% që përbënin në 2020.

Arsyeja për punësim është arsyeja kryesore e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri në 2021, me 47,7%.

Në vitin 2021 janë evidentuar 10.062 të huaj të parregullt në territorin e vendit ku pjesën më të madhe të tyre, e zënë të huajt me origjinë nga Siria dhe Afganistani me 67,0%.

Të huajt në Shqipëri

Gjatë 2021 numri i të huajve rezident përbëhet nga 9.400 meshkuj dhe 5.521 femra. Meshkujt zënë 63,0% në numrin e të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.

Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2021 është 9.106 aplikime, duke shënuar një rritje me 18,9%, krahasuar me vitin 2020. Aplikimet sipas vendit të origjinës nga Irani dhe Italia përbëjnë 42,2% të aplikimeve gjithsej, në 2021.

Të huajt në Shqipëri sipas kontinenteve

Të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri, sipas vendit të origjinës, në 2021 kryesohen nga vendet e Evropës, duke zënë 59,1% të të huajve rezident gjithsej. Të huajt me origjinë nga Evropa janë 8.812, duke shënuar një rritje me 14,1%, krahasuar me 2020. Të huajt me origjinë nga Azia janë 4.222, duke shënuar një rritje me 4,3%, krahasuar me 2020. Të huajt me origjinë nga Amerika, Afrika dhe Oqeania janë 1.887, duke pësuar një rritje me 2,7%, krahasuar me 2020.

Të huajt në Shqipëri sipas vendit të origjinës

Në 2021 të huajt rezident në Shqipëri me origjinë nga Irani janë 2.586 banorë, duke shënuar një rënie me 0,9%, krahasuar me 2020. Të huajt me origjinë nga Italia janë 2.324 banorë, duke shënuar një rritje me 12,4%, krahasuar me 2020. Të huajt me origjinë nga Kosova janë 1.869 banorë, duke shënuar një rritje me 21,2%, krahasuar me 2020.

Të huajt në Shqipëri sipas arsyes

Në vitin 2021 të huajt rezident për arsye punësimi zënë 47,7% të të huajve gjithsej, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 24,1%, arsyet për qëllime humanitare me 17,8%, arsyet për studime 2,8% dhe arsyet të tjera me 7,5%.

Të huajt me origjinë nga Irani kryesisht dominohen nga arsye humanitare për të marrë leje qëndrimi në Shqipëri (99,3%).

Te të huajt rezident në Shqipëri me origjinë nga Italia, përveç arsyes për bashkim familjar (61,7%) vihet re edhe një dominim i arsyes për punësim (17,5%).

Të huajt me origjinë nga Kosova, kryesohen nga arsyet për punësim (42,3%) dhe arsyet për bashkim familjar (29,1%).

Të huajt me origjinë nga Turqia, kryesohen nga arsyet për bashkim familjar (69,2%) dhe arsyet për punësim (28,9%).

Të huajt me origjinë nga SHBA dhe Egjipt dominohen nga arsyet për bashkim familjar (respektivisht me 64,3% dhe 77,0%).

Të huajt e parregullt

Të huajt e parregullt të evidentuar në territorin e Shqipërisë ose në kufi, pa dokumentacionin e nevojshëm, rezultojnë 10.062 persona në 2021, kundrejt 18.835 personave në 2020.

Të huajt e parregullt të kapur për herë të parë sipas vendit të origjinës në 2021, kryesohen nga vende si Siria me 5.366 persona, Afganistani me 1.377 persona, Bangladeshi me 832 persona, Maroku 505 persona.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor