Vendosni fjalën kyçe....

Çiljetizimi i ekonomisë dhe shpopullimi i vendit


Nga Sebastian Zonja

Dritan Shano, ekonomist, që për vite ka mbrojtur tezën e neoliberalizmit, tregu është mbi të gjitha, kishte shkruar një artikull me titullin “Kush e bleu Raiffeisenin?”.

Me fjalë të thjeshta – një person që ka mbrojtur një teori se duhet të nxirret në treg çdo sektor, koncepti që mbronte Pashko në vitet ’90, sot po i ankohet qytetarëve se pse oligarkia ka kapur edhe sistemin bankar.

Z.Pashko do ta niste me “Doktrinën Shok” kapitalizmin shqiptar, që më pas, liberalët e rinj të ndërtonin tezat e para P.P.P. që sot ka Rama.

Shano dhe të ngjashmit me të mund të jenë ekspertë të mirë, por intelektualë janë ata që e shohin se ku i çon argumenti i tyre teorik pas disa vjetësh.

Privatizmi i sektorëve kyç ishte domosdoshmëri, por thithja e investimeve të huaja bëhet në sektorë prodhues, jo zhvatës. Ndërkohë, në Shqipëri nuk ka pasur investime të huaja në fabrika e uzina, por te Vodafoni, AMC-ja, Bankat, kromi e të tjerë. Si mund të industrializohej vendi kur sektorët kyç, me më shumë fitim, janë në dorë të kapitalit të huaj, fitimet dalin jashtë, ndërsa shteti shqiptar veç vjel taksa?

Sot, fatkeqësisht, shohim se Shqipëria nuk ka prodhim, nuk është e industrializuar, por ka institucione ekonomike zhvatëse për qytetarët. Grabitja sot është sistemike, ndaj shpopullimi është masiv.

I dëgjoni se si e mburrin Enferrin se industrializoi vendin. Nuk duan Enverin, jo. Nuk duan radhët e gjata. Duan të shkojnë në punë njerëzit. Duan që të flitet për ndërtimin e atdheut. Liberalët e rinj s’e honepsin këtë ligjërim. Është i prapambetur. Atdheu s’ka kuptim. Sovraniteti jo e jo. Duhet vetëm të hapemi, siç jemi në Ballkanin e hapur sot.

Në Shqipëri, kromin e bakrin e kanë turqit, bankat austriakët, telefoninë grekët… Kjo ka ndodhur fal meritës së padiskutueshme të liberalëve të rinj që, nën egjidën e sharjes së komunizmit, janë të gatshëm ta japin me koncesion edhe sigurinë kombëtare.

Shohim gjithashtu se paraja e pisët qarkullon në masë, por nuk ka investime në fabrika e prodhim, veçse në beton. Gjenialiteti i ekonomistëve është t’i këshillojnë ata që kanë para të pisët si ta pastrojnë atë shpejt, me pallate për shembull, jo si të ndërtojnë sektorë prodhimi në afatgjatë. As shteti nuk ndërton një strategji për këtë fenomen, por mjaftohet me debatin për amnistinë fiskale.

Faleminderit! Asnjëherë s’është vonë të ndahesh nga çiljetizimi i ekonomisë.