Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania përjashton mundësinë bërthamore për të kursyer gazin


Gjermania nuk duhet t’i mbajë në punë termocentralet bërthamore për të siguruar furnizimin me energji elektrike, pasi kapaciteti i tyre është i pamjaftueshëm për të kompensuar mungesat e gazit natyror, tha të dielën ministri i Ekonomisë Robert Habeck.

“Është vendimi i gabuar duke pasur parasysh atë pak që do kursenim.” – tha Habeck në një takim me qytetarët në ditën e dyerve të hapura të qeverisë, siç citohet nga Reuters.

Berlini po vendos nëse do zgjasë jetëgjatësinë e tre termocentraleve bërthamore që operojnë në vend për të kompensuar furnizimet me gaz natyror që po pakësohen me shpejtësi nga Rusia.

Megjithatë, sipas Habeck, mbajtja e centraleve në punë do kursente vetëm 2% të gazit, gjë që është e pamjaftueshme dhe nuk ka gjasa të ndihmojë gjendjen, veçanërisht pasi do kërkonte rishikimin e debateve mbi legjislacionin e ish-kancelares Angela Merkel për të ndaluar përdorimin e energjisë bërthamore nga fundi i vitit 2022.

Habeck tha se një termocentral bërthamor në Bavari mund të lejohet të vazhdojë, por vetëm nëse një provë mund të tregojë se ai është në gjendje të ndihmojë mjaftueshëm me furnizimin me energji elektrike këtë dimër.