Vendosni fjalën kyçe....

Incidenti në uzinën e Gramshit, Meta: Ftoj kryeministrin të reagojë, të ndalojë hyrjen e rusëve e bjellorusëve në vend


Në konferencën e sotme për mediet, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta kërkoi hetim të sulmit ndaj ushtarëve në Gramsh nga ana e dy rusëve dhe një ukrainasi.

Meta tha se kryeministri Edi Rama duhet të reagojë lidhur me kërkesën e bërë për ndalimin e hyrjes së shtetasve rusë dhe atyre bjellorusë derisa të ketë një qartësim të plotë të situatës.  Meta u shpreh se ushtria shqiptare sot është në gjendje shumë të rëndë.

“Nga përvoja ime si ish-president çështja të Këshillit të Sigurimit nuk më ka funksionuar. Pas një mbledhje që kam bërë, ju e dini që pati vjedhje në mes të ditës. Por megjithatë kjo nuk është çështja ime, por problem është që ushtria jonë është në gjendje të rëndë dhe këtë e kam të provuar dhe faktuar. Ushtria ende e ka të vështirë të thotë se cilat janë pronat dhe kapacitetet e saj. Unë kam denoncuar edhe në SPAK. Ushtria jonë është në gjendje problematike sa i takon bazës ajrore…Në situatën e zjarreve ju e patë, kishim sërish ushtarë me lopata dhe fshesa. Ju kujtoj që niveli i arsimit ka rënë gjithnjë e më shumë. Ne sërish jemi krenar që jemi anëtar të NATO, përshëndesim edhe dy avionet B-52. Tani nga këto raste në uzinën e armëve duhet të reflektojmë dhe po ashtu me këtë rast ftojmë kryeministrin të reagojë për kërkesën për të ndaluar hyrjen e qytetarëve shtetasve rusë apo bjellorusë të aleatëve të tyre të paktën për aq kohë sa të ketë një zgjidhje.”- tha Meta.

Gjatë bisedës me gazetarët, Meta shtoi se e shihte kryeministrin Rama të rënë.

“Nuk jemi këtu thjesht për të rrëzuar Edi Ramën sepse Edi Rama ka rënë. Unë e shikoj të rënë shumë rëndë, problem është që bashkë me rënien e Edi Ramës dhe për të gjithë këto veprime kriminale dhe këtë shpopullim që i ka bërë Shqipërisë dhe zëvendësimi me Bangladeshas qëllimi është t’i kthejmë fuqinë popullit shqiptar nuk është thjesht ndërrimi i një kryeministri, por t’ja kthejmë fuqinë popullit. Unë i kam bërë të gjitha denoncimet edhe kur kam qenë president, edhe ish-LSI ka bërë denoncimet e saj, ato vazhdojnë dhe do të vazhdojnë çdo ditë. Ka shumë afera të tjera. Është e pashmangshme dhe drejtësia do të funksionojë. Një popull që vendos drejtësi lartëson veten e tij dhe fiton edhe respektin e të gjithë botës.”– tha Meta.