Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Lidhjes Botërore Myslimane: Sulmi ndaj Salman Rushdie është i papranueshëm për Islamin


Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Botërore Myslimane, Muhamed bin Abdul Karim Al-Issa e ka quajtur sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie “një krim që Islami nuk e pranon”.

Në një intervistë për Arab News ai tha: “Islami është kundër dhunës dhe nuk mund të pranojë kurrë asnjë metodë dhune. Çështjet fetare dhe intelektuale, duke përfshirë frazat që mund të lexohen plotësisht ose pjesërisht si fyese, nuk mund të trajtohen kurrë në këto mënyra të dhunshme.”

Al-Issa foli pas një takimi të gjatë dhe miqësor me kryetarin e Konferencës Episkopale Italiane, kardinalin Matteo Maria Zuppi gjatë një vizitë në Rimini të Italisë.

“Ka tekste në fenë islame që janë kundër dhunës. Dhe ato tekste janë të qarta.”– tha ai.

Al-Issa, i cili është gjithashtu president i Organizatës Ndërkombëtare Islamike Halal dhe një ish-ministër i drejtësisë saudite, konsiderohet si një zë kryesor mbi Islamin e moderuar në botë si dhe një figurë kyçe në luftën për të luftuar ideologjinë ekstremiste.

Udhëheqësit fetarë dhe zyrtarët e qeverisë e kanë lavdëruar atë për përpjekjet e tij për të promovuar moderimin, bashkëpunimin dhe bashkëjetesën mes të gjithë njerëzve.

Al-Isa tha se feja “është kuptimi i ekzistencës së njeriut në këtë jetë, shuma e vlerave të bazuara në parime të veçanta, në bazë të të cilave nuk është vetëm një filozofi, por edhe një burim fetar që vjen nga Zoti. Për këtë flasim për vlera, si fetare ashtu edhe njerëzore. Këto vlera përfaqësojnë ndjenjën e fesë dhe instinktin fetar. Kjo nënkupton edhe ndjenjën e besimit në qenien njerëzore.”

Pasioni dhe dashuria, thotë ai, janë “faktorë qendrorë në fe“, duke shtuar se “besimtari duhet t’i dojë të gjithë të tjerët edhe nëse nuk pajtohet me ta. Besimtari e di se në këtë jetë nevojiten dashuri dhe mëshirë. Dashuria është jetë, bashkëjetesë, paqe, harmoni.”

Ai theksoi nevojën për dialog ndërfetar, pasi ai “eliminon të gjitha keqkuptimet dhe sqaron të vërtetat brenda dhe jashtë botës islame, si për myslimanët ashtu edhe për jomyslimanët. Dialogu është gjuha e të arsyetuarve, e të mençurve. Nëse të gjithë e praktikojnë atë, ne të gjithë afrohemi dhe kjo qasje largon frikën e njerëzve të tjerë.”

Më pas Al-Issa foli për respektin ndaj muslimanëve në mbarë botën.

“Ne dëshirojmë që të gjithë të jetojnë me dinjitet, të gjitha pakicat. Dhe që të jenë të integruar mirë në tokën ku jetojnë. Ne gjithashtu shpresojmë që të gjitha qeveritë në mbarë botën të respektojnë të drejtat e pakicave dhe specifikat e tyre kulturore, fetare dhe kulturore. Ne nuk pranojmë që asnjë pakicë në botë të ofendohet, pavarësisht nëse janë muslimanë apo jo.”

Në fund ai u bëri thirrje të gjitha kombeve që të kujdesen për refugjatët.

“Refugjatët janë viktima dhe duhet të kujdesen për ta duke i integruar në shoqëritë në të cilat jetojnë dhe duke u garantuar të drejtat e njeriut në vendet ku janë strehuar.”– tha ai.