Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Nuk ka ekzistuar asnjë dosje për mua, Autoriteti i Dosjeve një rast ekzemplar si institucionet përdoren për qëllime kriminale


Në konferencën e sotme për mediet, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta këmbënguli se për të nuk ka ekzistuar kurrë asnjë dosje si bashkëpunëtor i Sigurimit.

Ai u shpreh se rasti i Autoritetit të Dosjeve është një shembull ekzemplar në Evropë i përdorimit të institucioneve për qëllime kriminale.

 “Edi Rama do të ketë edhe një akuzë më të rëndë sepse ka urdhëruar falsifikim në dosjen e një qytetari. Unë e di shumë mirë pse e ka bërë ai. Për shkak të veprimeve të përgjegjeshme të presidentit të republikës në mbrojtje të kushtetutës, të cenuara nga Edi Rama si kryeministër në shërbim të qarqeve anti-shqiptare.

Këto përralla dhe lojëra nuk funksionojnë me Ilir Metën. Nuk i kanë funksionuar askujt. I.M. do të dalë spiuni ambulant Tao Tao. Një kameleon në shërbim të atij që i ofron një tender dhe një mundësi më të mirë për të jetuar. Ky rast i autoritetit të dosjeve do të jetë një rast ekzemplar edhe në Europë se si keqpërdoret në mënyrë kriminale që duhet të jetë shembull i zbatimit të ligjit. Duhet të karakterizohet nga humanizmi dhe jo të cenojë privatësinë e qytetarëve thjesht për t’i shërbyer Edi Ramës nga tmerri që ka që nuk e blen dot më opozitën.

Do të jetë një rast skandaloz i përdorimit të metodave më të ndyra të ish sigurimit të shtetit pas 32 vitesh demokraci. Përpjekja e tyre është të shtyjnë çdo ditë me këto historitë. I bëjnë këta që ia kanë kaluar edhe Partisë së Punës. Jemi vend anëtar i NATO-s. Dhe i përdorin këto që të shpëtojnë nga ndëshkueshmëria e shpejtë që i pret. Me ligjet që kanë shkelur vetë do të përgjigjen para ligjit. Dhe do kthejnë çdo cent.”- tha Meta.

Meta shtoi që kallëzimi penal që do bëjë ndaj Autoritetit të Dosjeve do bëhet publik më 1 shtator.

Ai ironizoi maxhorancën duke thënë që “regjimi i patronazhistëve” ta gëzojë “autogolin” që ka bërë.

“Menduan se në pamundësi për të përballuar cunamin politik që është rizgjuar, të eleminojë figurat publike që nuk i blen apo intimidon dot, për llogari të qarqeve anti- shqiptare. Më 1 shtator do të bëhet publik kallëzimi penal. Falsifikimet janë flagrante e shkatërrimtare për ata që me urdhër të Ramës janë përfshirë në një aktivitet të tillë kriminal. Kur kjo ndodh ndaj një ish zyrtari të larë, mendoni ç’ndodh me qytetarë të tjerë.

Mendoni se ç’bëjnë me hipotekat dhe devijimet e projekte, me e-Albania, ndërsa janë hedhur qindra mln euro. Regjimi i patronazhistëve të gëzojë autogolin që ka bërë.

Në raportet me drejtësinë veproj si shtetar që e di që shteti as nisi sot e as nuk do të mbarojë nesër. Se kemi toorrollakë që i hedhin firmat më kot. Do të jem këtu edhe 25 vite të tjera në politikën aktive. Jam këtu se në çdo firmë të hedhur kam qenë i ndërgjegjshëm, në çdo detyrë e funksion.

Flagranca e tyre është shumë e rëndë dhe tregon kalbëzimin e këtij shteti anti-llogaridhënie që me një shtyrje shumë të lehtë do të bjerë në një fund pa fund ku ka nisur tashmë rënien e lirë. Por Shqipëria nuk mund të bjerë bashkë me ta.”– tha Meta.