Vendosni fjalën kyçe....

“Mos e kërkoni agjenturën në tunele”, Berisha: Rama po vepron si agjent i Kremlinit me projektin “Ballkani i Hapur”


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se po vepron si agjent i Kremlinit me projektin ‘Ballkani i Hapur”.

Nga selia blu, Berisha tha se ky projekt u mbështet gjatë dy muajve publikisht nga ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

“Tani vijmë pak tek problemet e sotme. Sot ka një konfrontim mes NATO-s, BE-së dhe Rusisë së Putinit dhe aleatëve të tij. Sot sikundër dhe më parë, Shërbimet serbe dhe ruse janë në sintoni të plotë, në bashkëpunim të ngushtë. Për ata të cilët vënë gjë këtu në dyshim, po ju rikujtoj deklaratën e Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë vizitës së tij në Uashington do të thoshte se Shërbimet më kishin njohur, dhe këtu është fjala për shërbimet ruse, me tekstin e marrëveshjes që do na servirej. Por kjo nuk është një risi.

Putini i madh dhe i vogël, Rusia e madhe dhe e vogël janë një unitet, ndofta përjetësisht i pazgjidhshëm. Ajo për të cilën unë jam këtu është se ka një projekt tjetër, madhor për Ballkanin, projektin Serbo-rus dhe ky është ‘Ballkani i Hapur’. Shqiptarët e dinë që ky projekt u mbështet gjatë dy muajve publikisht nga ministri i Jashtëm rus, Lavrov. Dhe ky projekt mbështetet po kaq fuqimisht dhe verbërisht nga vasali i Vuçiç në Tiranë, Edi Rama.

Më thoni tani ju, a nuk është madhor kërcënimi i sigurisë kombëtare nga Edi Rama?

Pra ata që kërkojnë agjenturë në tunele dhe bunkerë, duhet të dinë se problemi madhor i sigurisë kombëtare është në krye të qeverisë së vendit. Rama po vepron si agjent influent i Kremlinit në Tiranë me projektin Ballkani i Hapur.”- tha Berisha në një deklaratë nga selia blu.

Më tej Berisha shtoi se siguria kombëtare e vendit është e kërcënuar, por fatmirësisht thotë ai jemi pjesë e NATO-s.

Ai tha se ish-kreu i SHISH-it Fatos Klosi emëroi asetin rus në drejtorinë më të rëndësishme të Shërbimit Informativ.

“Meqë jemi në fushën e lajmeve për spiunë ju dëgjuat një muaj më parë se një prej figurave më kyçe ishte aset rus. Në të vërtetë ju garantoj se ai nuk është i izoluar. Fatos Klosi ndiqej nga shërbime inteligjente për lidhje të dyshimta me dy shërbime të tjera. Frederik Ymeri e emëroi në detyrën më të lartë dhe drejtorinë më të rëndësishme, Fatos Klosi. Këto në mënyrë direkte apo jo janë të lidhura gjer në kreu e piramidës së këtij vendi. Siguria kombëtare sot është e kërcënuar. Shqipëria është anëtar i NATO-s dhe askush nuk mund të luajë me sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Sot mbi qiellin e Tiranë fluturojnë fortesa ajrore B52, uroj që miku i Ramës Vuçiç dhe barbari i Kremlinit Putin, t’i shohin këto fortesa.”– tha Berisha.