Vendosni fjalën kyçe....

“Po bënim foto, humbëm rrugën” – Lihen të lirë 4 turistët çekë që u ndaluan në Uzinën e Poliçanit


Lihen të lirë 4 shtetasit çekë që u kapën një ditë më parë në zonën e ndaluar të uzinës së Poliçanit, ku dy prej tyre ishin futur në një tunel dhe dy të tjerë po bënin foto.

Sipas “Balkanweb”, turistët çekë do të hetohen në gjendje të lirë.

Para hetueve, katër të huajt kanë pretenduar se janë turistë dhe se kishin ngatërruar rrugën ndërsa bënin foto. Për pasojë dy burrat kishin përfunduar në një prej tuneleve që të çon në uzinë. Ndërkohë, gratë ishin në një distancë më larg repartit.

“Sot, në ambientet e jashtme të Uzinës Ushtarake Poliçan, janë konstatuar shtetaset P. B., 38 vjeçe dhe M. M. (G), 34 vjeçe, me kombësi çeke, me aparat fotografik.

Shërbimet e Policisë në bashkëpunim dhe me Policinë Ushtarake, pas informacioneve të marra se në brendësi të tuneleve të Uzinës, ndodhen dhe dy shtetas të tjerë, kanë ushtruar menjëherë kontroll të imtësishëm.

Në brendësi të njërit prej tuneleve, gjatë kontrollit, janë konstatuar dhe dy shtetasit e tjerë, TH. M., 51 vjeç, dhe R. B., 42 vjeç, të dy me kombësi çeke.”– njoftonte dje Policia.

Gjatë ndalimit të tyre nga policia, 4 shtetasit çekë këmbëngulën se nuk kishin “qëllim të keq” dhe vetëm kishin humbur rrugën. Rasti i Poliçanit erdhi pas incidentit në Uzinën Ushtarake në Gramsh ku dy ushtarakë shqiptarë u sulmuan me spraj neuroparalizues nga tre të tuaj, dy rusë dhe një ukrainas, të cilët janë vënë nën hetim për spiunazh.