Drejtori menaxhues në një kompani sistemesh telefonike në Mbretërinë e Bashkuar po i jep të gjithë stafit të tij një bonus mujor prej 200 paundësh për të ndihmuar në kompensimin e kostove të larta të energjisë.
Daron Hutt ia dha lajmin punonjësve të “4Com” javën e kaluar. Ai tha se programi i bonusit të mbështetjes për energjinë do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të mëtejshëm.
Hutt tha se kompania ishte në gjendje të ndihmonte falë ‘rritjes’ së firmës, të cilën ai ia atribuoi sukseseve të stafit prej 431 anëtarësh.
Nisma e re e 4Com vjen pasi familjet janë paralajmëruar se faturat e energjisë mund të arrijnë në 3 mijë e 615 paund këtë dimër.
“Ajo që ne po vendosim, që hyn në fuqi menjëherë, është një Bonus për Mbështetjen e Energjisë, ku çdo person në kompani do të marrë një rritje prej 200 paundësh në muaj në fletëpagesat e tyre deri në njoftimin e mëtejshëm.”- shpjegoi Hutt sipas Daily Mail.
Shefi ekzekutiv Gary Scutt i bëri jehonë këtij vendimi duke thënë: “Prioriteti ynë me Bonusin tonë të Mbështetjes së Energjisë është të mbështesim ekipin që kemi ndërtuar këtu gjatë viteve – ata janë pasuria jonë më e vlefshme”. Të dy drejtuesit e firmës theksuan se sukseset e fundit të firmës bënë të mundur programin e bonusit.
4Com u themelua në vitin 1999. Firma kryesoi listën e Sunday Times për 100 kompanitë më të mira në vitin 2017.
Çmimet globale të energjisë janë rritur që nga pushtimi i Ukrainës në fillim të këtij viti, ndërsa Gazprom, furnizuesi shtetëror i Rusisë, ka shkurtuar furnizimet me gaz nga gazsjellësi Nord Stream 1 që kalon nën Detin Baltik në përpjekje për t’i dhënë fund mbështetjes evropiane për Kievin.