Oficeri i lartë britanik Paul Carney tha se ushtarët duhet të përgatisin familjet e tyre për mundësinë e dërgimit në Ukrainë për të luftuar Rusinë në luftën e cila vijon prej gjashtë muajsh.
Ai theksoi se trupat duhet të jenë gati për të luftuar Rusinë dhe duhet të paralajmërojnë të dashurit për një konflikt të mundshëm.
Oficeri Paul Carney, paralajmëroi se ushtria e Mbretërisë së Bashkuar tani ‘po e formësonte veten për të përballuar kërcënimin nga Rusia dhe ishte e gatshme të kundërshtonte çdo agresion’.
Ka ardhur koha për të përgatitur ‘familjet dhe njerëzit e dashur’ për mundësinë e dërgimit në Lindje.
Ai tha se bota kishte ndryshuar që nga pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin më 23 shkurt, gjashtë muaj më parë dhe trupat britanike ‘duhet të përgatiten për realitete të reja’.
Oficeri më i lartë i rangut shkroi në revistën ‘Soldier’: “Unë dua që ne të gjithë të kontrollojmë se jemi fizikisht të aftë për operacione. Dhe është gjithashtu e rëndësishme që të përgatisim të dashurit dhe familjet, të cilët shpesh kanë rolin më të vështirë në mungesën tonë. Kërkesa ime është që ju të keni diskutime për një dislokim të mundshëm me ta tani. Kjo është thelbësore pasi ne mund të jemi jashtë kontaktit për periudha të gjata në turne. Të sigurohemi që të dashurit tanë të kenë mbështetjen që u nevojitet është jetike edhe për ne, pasi ne nuk do të japim 100% në turne nëse jemi të shqetësuar për në shtëpi.”
Gjenerali Sir Richard Dannatt, ish-kreu i ushtrisë, tha: “Kjo është këshillë e kujdesshme nga ushtaraku më i lartë i ushtrisë. Kjo nuk do të thotë se ushtria do të vendoset në Ukrainë, por është detyrë e çdo ushtrie në kohë paqeje të përgatitet për luftë, në çdo aspekt të jetës. Thënë kjo, me një luftë në Evropë, një Rusi agresive dhe vende të shqetësuara në kufijtë e Rusisë, është e arsyeshme që ushtarët britanikë të jenë të përgatitur për atë që mund të ndodhë.”
Alarmi i tij i bën jehonë një paralajmërimi nga gjenerali Sir Patrick Sanders, kreu i ushtrisë, i cili tha në qershor: “Ne jemi brezi që duhet të përgatisim ushtrinë për të luftuar përsëri në Evropë.”
Britania ka dërguar armë antitank dhe raketahedhës në Ukrainë dhe ka ndihmuar në stërvitjen e forcave të saj.