Në konferencën e sotme për mediet, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u përgjigj lidhur me thirrjet e opozitës për të ndaluar hyrjen e shtetasve rusë në vend. Kjo pas incidentit të ndodhur në Uzinën e Armëve në Gramsh ku dy turistë rusë dhe një ukrainas u ndaluan pasi sulmuan dy ushtarakë shqiptarë me spraj neuroparalizues, dhe dyshohen për spiunazh.
Çuçi u përgjigj se një vend i lirë nuk mund t’u vendosë agjentë çdo turisti që futet në vend.
“Ka një kategori turistësh që gjejnë uzina të vjetra dhe i kanë si koleksion fotosh dhe kjo nuk bën vepër penale. Të gjitha objektet e fotografuara janë të deklasifikuara. Në momentin që shkel një nen të kodit penal të Shqipërisë do të fillojë edhe procedimi. Siç ju thashë ai ka bërë agresion. Ne duhet të presim hetimin për të zbardhur të plotë këtë ngjarje. Kur je vend i lirë dhe ke një regjim vizash për turistët sigurisht do t’i lësh turistët të lirë, në momentin që kryejnë një vepër penale atëherë do të trajtohen si të tillë. Besoj këtu nuk ka vend për të thënë se do t’i vendosi nga një agjent çdo turisti që vjen në vend. Institucionet kanë reaguar në kohë dhe do të jetë gjithmonë kështu. Nuk besoj që është me vend që çdo turisti që i kemi thënë të vizitojë Shqipërinë i lirë t’i vendosim nga një agjent nga pas.”– tha ministri Çuçi.