Vendosni fjalën kyçe....

Bimët medicinale, Shqipëria prodhon 330 lloje, më të eksportuarat sherebela dhe livanda


Në Shqipëri kultivohen ose mblidhen mbi 330 lloje bimësh medicinale dhe aromatike.

Një publikim i dedikuar i Agjencisë Shqiptare të Investimeve të Huaja i cili përmbledh ecurinë e sektorit në tërësi nënvizon se vendi ynë është ndër 25 eksportuesit kryesorë të bimëve medicinale dhe aromatike në botë.

Të paktën 95 për qind e gjithë prodhimit orientohet drejt eksportit. Sipas AIDA-s rritja e eksporteve të këtij grupi ka qenë e vazhdueshme edhe pse në total të ardhurat e gjeneruara mbeten modeste.

Në vitin 2020 këto eksporte llogariteshin 44 milionë euro.

Rreth 32 për qind e eksporteve të këtij grupi orientohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po kaq edhe drejt Gjermanisë. Në Turqi rreth 10 për qind dhe po kaq edhe në Francë. Shumica e prodhimit bëhet nga mbledhja e gjerë nga individë të pavarur çka përbën 80 për qind kurse pjesa tjetër është e kultivuar.

Por cilat janë në fakt bimët mediciale dhe aromatike më të eksportuara?

Në vend të parë sipas përmbledhjes së AIDA është sherebela dhe pas saj vjen livanda (levander), rigoni është i treti dhe më pas trumza, mollët e egra.

Shqipëria është furnizues kyç i tregut të SHBA me sherebelë dhe tregut gjerman me trumzë.

“Fermerët në Shqipëri aktualisht kultivojnë, grumbullojnë dhe eksportojnë 186 lloje të bimëve mjekësore dhe aromatike nga 330 llojet e bimëve mjekësore dhe aromatike që rriten në total në Shqipëri. Sektori punëson mbi 90,000 punonjës, 10% e të cilëve janë gjithashtu të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 Ha” vlerëson publikimi.

Sipas AIDA Bimët mjekësore dhe aromatike në Shqipëri rriten kryesisht në Shkodër, Malësi e Madhe, Korçë, Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Kukës. Tradicionalisht, bimët mdicinale të egra në Shqipëri eksportohen si lëndë e parë. Ato përpunohen më tej dhe paketohen në tregjet e eksportit për t’u shitur më pas me çmim më të lartë.

Aktualisht operojnë 40-50 kompani eksportuese MAP Shqipëria, pjesa më e madhe e tyre i përpunon më tej bimët për prodhimin e produkteve të tilla si vajrat esenciale.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor